E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pavarësia e Kosovës, faqja më e ndritur që nga Skënderbeu

(E plotësuar) Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit ka uruar pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke i ofruar mbështetjen që si vëllezër të ecet përpara drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian.

“Sot, gjithashtu përkujtojmë sakrificën dhe përpjekjet e gjeneratave të tëra të shqiptarëve ndër vite, që kulmuan me luftën çlirimtare të Kosovës për të arritur këtë ditë për të cilën të gjithë shqiptarët punuan shumë. Qoftë i përjetshëm kujtimi mbi ta dhe veprën e tyre”, thuhet në një komunikatë të BDI-së. Mbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur, anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtar, ndërtimi i raporteve të mira fqinjësore dhe rrugëtimi i sigurt drejt konsolidimit të shtetit stabil dhe të sigurt të Kosovës janë të arritura të mëdha në këtë pesë vjetor”

“Ashtu siç bashkë udhëtuam në kohë të vështira drejt shpalljes së pavarësisë, unë ju siguroj që përsëri bashkërisht, krahë për krahë, si vëllezër, do të ecim drejt qëllimit tonë të përbashkët, integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, thuhet në fund të komunikatës.

-----------------------------------

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ua ka uruar të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Berisha i ka shprehur urimet e tij nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku ka thënë se çlirimi i Kosovës është faqja më e ndritur e përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin e tyre, që nga luftërat e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

“Sot, mbarë kombi shqiptar feston 5-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë 5-vjetor, kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para veprës, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, sakrificës sublime të kryeheroit të kombit tonë, Adem Jashari, e mijëra e mijëra luftëtarëve të lirisë që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për çlirimin e Kosovës”, u shpreh kryeministri i vendit.

Berisha ndër të tjera ka shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA-ve, Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit George W. Bush si dhe ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, që luajtën rol kryesor në çlirimin e Kosovës.

“Një përshëndetje vëllazërore le t’ua dërgojmë në këtë rast të gjithë qytetarëve të Kosovës, udhëheqjes politike të saj, që në 5 vjet pavarësi kanë shndërruar Republikën e Kosovës në një faktor të rëndësishëm të paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në rajon. Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur dhe shqiptarët kudo që janë”, përfundon urimi i Berishës në Facebook. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›