Mustafa: Rugova “babai” i Pavarësisë së Kosovës

Drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për nder të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kanë bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke u përkul para jetës dhe veprës së tij. Pasi kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh, kreu i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se Rugova ishte dhe do të mbetët “babai” i Pavarësisë së Kosovës.
Mustafa ka thënë se LDK çmon lart veprën dhe figurën e lart të presidentit Rugova, ashtu siç i çmojnë lart edhe dëshmorët dhe të rënët për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
“Kemi ardhur së bashku me udhëheqësinë e LDK-së, për të vënë kurorë te varri i presidentit Rugova, në shenj të kujtimit të tij si burrështetas të Republikës së Kosovës, si babai i Pavarësisë së Kosovës, që ndërlidhet me këtë pesë vjetor të shtetit të Pavarur të Kosovës. Në çmojmë lart figurën dhe veprën e presidentit Rugova, ashtu siç e çmojmë lartë edhe gjithë dëshmorët tanë, që dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë, që ishte vepër sublime e një rezistence paqësore të cilët e ideojë presidenti Rugova duke e udhëhequr për një periudhë të gjatë dhe të atyre që flijuan jetën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Isa Mustafa, edhe në këtë ditë shprehu përkushtimin e partisë që ai drejton që në Kosovë të sundon ligji dhe të formojnë një shtet të drejtë dhe të zhvilluar ekonomikisht.
“Ajo çka ne do të bëjmë është që do të mundohemi ta formojmë një shtet të drejtë, një shtet ligjor, një shtet të zhvilluar ekonomikisht, në mënyrë që veprën për të cilën u angazhua presidenti Rugova dhe për të cilën u flijuan shumë jetë ta shndërrojmë në një vepër e cila do të kënaqte aspiratat dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Aktivitetet tjera të zyrtarëve të LDK-së vazhduan homazhe tek varret e dëshmorëve,kurse gjatë ditës kanë organizuar edhe aktivite tjera./Indeksonline/