Berisha: Pavarësisht vështirësive, referendumi do bëhet. Opozita bllokoi për herë të tretë statusin
Kryeministri Sali Berisha foli sërish shumë gjatë në mbledhjen e qeverisë në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit. Berisha akuzoi opozitën se po e bllokon për herë të tretë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Heqja e imunitetit do ishte një akt kurajoje, ku do u tregonim shqiptarëve se ne hodhëm mburojën e imunitetit. Pavarësisht se varianti i rënë dakord pati shmangie nga varianti i përgatitur nga ekspertët ndërkombëtarë, dhe që ishte për mua varianti më i ndershëm, përsëri varianti i dytë kishte meritë të madhe sepse kishte brenda një marrëveshje, një konsensus të gjerë, por megjithëse vetë shtypi i opozitës informoi qytetarët e këtij vendi se 94 përqind e qytetarëve ishin për heqjen e imunitetit, megjithëse socialistët në seancën e parlamentit, në komisionin e integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor, në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit si kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat, por edhe si vullnet për një nivel të ri transparence në vend, zoti Rama, klubi i miliarderëve nuk pranuan që të votonin atë projekt të përgatitur në çdo germë në konsensus të plotë dhe me propozimet e PS. Natyrisht nuk ishte ky lajmi që prisnin qytetarët shqiptarë. Nuk ishte ky qëndrimi që ata prisnin nga politikanët e tyre. Nuk ishte kjo ajo që meritojnë qytetarët e këtij vendi. Rama mori përsipër të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, duke i thënë Europës se nuk pranoj heqjen e imunitetit, tha Berisha.
Ky vend ka marrë 1 miliard euro ndihmë nga taksapaguesit e Komisionit Europian. Gjëja e parë që zyrtarët e KE konsiderojnë është nëse përdoren këto para për të mbushur xhepat e pushtetarëve, apo për qytetarët shqiptarë. Pse, taksapaguesit europianë do paguajnë për xhepat e gjyqtarëve e politikanëve shqiptarë? Çfarë na thanë: hiqni simbolin e korrupsionit. Tregoni se nuk keni frikë nga vetja juaj. Tregoni se nuk keni frikë nga ligji, vijoi kryeministri.
Berisha deklaroi se do vazhdohet me referendumin, edhe pse ka disa vështirësi. Ai nuk përmendi nëse është e ligjshme të bëhet ky referendum, por i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të mbledhë Këshillin Legjislativ për këtë çështje.
Në këto kushte nuk më mbeti asgjë tjetër veçse tu drejtoheshim shqiptarëve me një referendum popullor, pavarësisht nga disa vështirësi të padiskutueshme, referendumi do bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës. Asgjë nuk mund të pengojë që të dëgjohet zëri i qytetarit. Ndaj i kërkoj Këshillit Legjislativ të parlamentit të elaborojë hapat e mëtejshëm të këtij hapi madhor, në të cilën qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të shprehen. Zëri i tyre duhet të dëgjohet, verdikti i tyre duhet të respektohet, tha Berisha, që vendosi ti japë Ramës disa leksione se si bëhet opozitë.
Ti aty je për të mbrojtur zërat e qytetarëve, jo zërin e Koços, që e ka shndërruar në nënkryetarin de facto të partisë, që ka urrejtje ndaj çdo investitori të huaj, tha Berisha.
Do ecet drejt referendumit popullor duke respektuar të gjitha përcaktimet ligjore dhe kushtetuese për referendumin. Koha e referendumit do përcaktohet nga institucionet përkatëse, nga KQZ, Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera.
Ky referendum kërkon tu japë të drejtën e fjalës qytetarëve, pasi deputetët nuk plotësuan një kërkesë legjitime të tyre.
Kjo çështje është jetike për transparencën. Sot jam i vendosur më shumë se 10 vite më parë për të vazhduar me ta këtë betejë.