E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Përfundoi një fazë shumë jetike drejt integrimit

30/03/2010 Qeveria miraton pesë kapitujt e fundit të pyetësorit të Komisionit Europian

Qeveria shqiptare ka përfunduar dhënien e përgjigjeve për 2283 pyetje të parashtruara nga Komisioni Europian në pyetësor, përmes të cilit do të përpilojë opinionin për dhënien e statusit të vendit kandidat. Në mbledhjen e pasdites së djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit janë miratuar pesë kapitujt e fundit të këtij dokumenti tepër të rëndësishëm, i cili në tërësinë e tij përbëhej nga 35 kapituj. Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar përfundimin e këtij procesi si një ngjarje madhore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se qeveria dhe mazhoranca e ka konsideruar si procesin më serioz dhe më kompleks në gjithë historinë e përpjekjeve për integrimin në BE. “Kam theksuar dhe theksoj se ky përbën një lloj provimi për të gjitha institucionet e vendit, përbën edhe një shans për të riformatuar gjithë punën dhe aty ky lypset edhe strukturat tona, në funksion të çështjeve që do të kemi të bëjmë gjatë rrugës drejt BE-së”, - ka deklaruar Berisha. Pyetësori iu dorëzua qeverisë shqiptare më 16 dhjetor 2009 nga përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. Atë ditë kryeministri Berisha kërkoi që e gjithë klasa politike shqiptare të jepte kontributin e saj në procesin e integrimit të vendit në BE. Madje, menjëherë pasi mori pyetësorin kreu i qeverisë iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për të përshëndetur së bashku marrjen e pyetësorit. Por lideri i forcës më të madhe politike në opozitë nuk iu përgjigj ftesës së kryeministrit. Për dhënien e përgjigjeve u angazhuan, sipas kapitujve, rreth 1200 zyrtarë të të gjitha niveleve dhe të gjitha institucioneve shtetërore, qeveritare dhe atyre të pavarura kushtetuese. Po ashtu u angazhuan 28 ekspertë të huaj dhe një numër i konsiderueshëm institucionesh dhe agjencish ndërkombëtare, të cilat u konsultuan për probleme dhe çështje specifike të pyetësorit. Vetë pyetësori shoqërohet me shpjegime të tjera, të cilat nuk përfshihen në përgjigje, por shoqërojnë përgjigjet e dhëna si një argument apo si një bazë ligjore. Në këtë pikë kryeministri Berisha kërkoi që para se dokumenti të dorëzohet, duhet riparë edhe një herë tjetër me kujdes, në mënyrë që, nëse ka ndonjë parregullsi, të rregullohet në vend. Ai ka theksuar se qeveria që drejton i qëndron parimit se procesi i vendimmarrjes për dhënien e statusit të vendit kandidat duhet të bazohet te performanca dhe meritat.

Dorëzimi në KE

Pyetësori, me të gjitha përgjigjet, i është nënshtruar gjithashtu përkthimit në gjuhën angleze dhe rreth mesit të këtij muaji do të dorëzohet në kryeqendrën politike të BE-së - Bruksel. Kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria që drejton ka një bashkëpunim të frytshëm dhe tërësisht transparent me Komisionin Europian. Ai tha se pas dorëzimit të pyetësorit me siguri që do të ketë pyetje, të cilat do të lidhen vetëm me qartësimin e ndonjë çështjeje. Për kreun e qeverisë ndoshta do të mund të ketë nevojë edhe për riformulime, duke marrë parasysh edhe përshtatjen në anglisht. Berisha u shpreh optimist se në kohën e duhur Shqipëria do të vlerësohet pozitivisht në vendimin për statusin e vendit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›