E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Përpjekja për bashkim kombëtar, ideal udhëheqës

11-12-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës pret në një takim ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj

Presidenti Nishani nderon Haradinajn me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Shteti shqiptar vlerëson kontributin e Ramush Haradinaj si luftëtar dhe rolin e tij si politikan. Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nderohet me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Institucionit të Presidentit ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. “Ramush Haradinaj, i cili së bashku me bashkëluftëtarët e tij në Kosovë diti t’i dalë zot vendit të tij, popullit të tij, trojeve të shqiptarëve, dinjitetit të shqiptarëve dhe të ndeshet me një makineri të egër, që synonte spastrimin etnik, që ushtronte gjenocidin ndaj një populli, ndaj qytetarëve, ndaj një vendi. Por, gjithashtu diti në përmasat e një burri shteti të punojë fort me mjaft bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, politikanët dhe institucionet e Kosovës në konsolidimin e një shteti të ri, që po përparonte me shpejtësi drejt gjithë atyre standardeve të demokracisë për një shtet evropian” u shpreh Nishani.
Për ish-kryeministrin e Kosovës, ky vlerësim është një angazhim më shumë për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik të dy vendeve.
“Është sfidë e madhe për mua sot dhe kam një ndjenjë jo të zakonshme të marr një nderim të këtillë dhe një përjetim, të cilin ua dedikoj të gjithë atyre, që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës e që jemi të gjithë ne dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin tonë deri këtu. Njëkohësisht, këtë nderim e pranoj si marrje të obligimit që të rrugëtojmë më tutje së bashku për të mirën e shqiptarëve kudo që janë dhe po ashtu për zotësinë tonë që të marrim garant komunitetet etnike, që jetojnë në hapësirat tona, ashtu si shqiptarët e kanë traditë”, u shpreh ish-Kryeministri i Kosovës.
Më herët Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili viziton Tiranën me ftesë të Kryeministrit Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe lirimit nga akuzat.
Presidenti Nishani vlerësoi maksimalisht kontributin e Ramush Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri. Kreu i Shtetit e cilësoi përballjen dinjitoze të Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës si ngritje në dinjitetin e merituar të luftës së UÇK-së dhe vijim të rezistencës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës që ranë për idealin më të lartë të kombit, lirinë.

Kryeministri Berisha takoi dje ish kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rramush Haradinaj

Berisha: Brenda javës vendimi për shtetësinë shqiptare. Haradinaj: E drejtë e mohuar që po vihet në vend

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ndajnë të njëjtin qëndrim sa i takon disa çështjeve specifike që lidhen me interesat e mëdha të shqiptarëve. Në kuadër të vizitës së tij të parë në Tiranë, pas shpalljes së pafajësisë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (TPNJ), Haradinaj u prit dje në një takim nga kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi vizitën e Haradinaj në Tiranë, si një ngjarje shumë të rëndësishme në 100 vjetorin e pavarësisë, pasi siç theksoi kryeministri, Haradinaj si komandant i radhëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës ka luajtur një rol themelor në lirinë e shqiptarëve dhe lirinë kombëtare. Kryeministri vlerësoi rolin dhe angazhimin e Haradinaj, në Kosovën e pasluftës, për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, si dhe në mbrojtjen me guxim dhe vendosmëri të lirive dhe te drejtave të minoriteteve në Republikës së Kosovës dhe rindërtimit tërësor të saj.
“Duhet të theksojmë në këtë pikë se liria kombëtare është vendosur vetëm me çlirimin e Kosovës. Kjo vizitë dhe pafajësia që shpalli Gjykata e Hagës, ishte një ngjarje e një rëndësie shumë të madhe për shqiptarët sepse pas çlirimit të Kosovës duhet mbajtur mend mirë, njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishin aleatet tokësorë ‘de facto’ të NATO-s”, theksoi Berisha.
Ai vuri në dukje se pas çlirimit të Kosovës zoti Rramush Haradinaj u angazhua me një përkushtim të jashtëzakonshëm për ndërtimin, në radhë të parë të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë, në mbrojtjen me një guxim dhe vendosmëri të madhe të lirive dhe te drejtave të minoriteteve në Republikës së Kosovës dhe rindërtimit tërësor të saj, për të cilën ai dha një kontribut të madh. Ndërsa, tha kryeministri Berisha, Haradinaj u gjend i gatshëm të përballej edhe me akuzat politike të prokurorëve të Gjykatës së Hagës, derisa fitoi lirinë për të dytën herë nga kjo gjykatë. “Në detyrën e ish-kryeministrit u thirr për t’u gjykuar nga Gjykata e Hagës. Nuk kam patur kurrë, as dyshimin më të vogël se ato motive ishin politike, ishin motive të një përpjekje absurde me të cilën kërkohej të barazohej agresori me viktimën, pushtuesi me luftëtarët e lirisë, por edhe një herë duke shprehur nderimin më të madh për zotin Haradinaj që bëri shqiptarët të mbajnë kokën lart, iu përgjigj ligjit ndërkombëtar, duke lënë detyrën e kryeministrit dhe paraqitur për hetim dhe gjykim në trupën ndërkombëtare të Gjykatës së Hagës. Dua të shpreh gjithashtu nderimin dhe vlerësimin më të madh për këtë Gjykatë, e cila nuk pranoi ndikimet dhe interferencat politike të gatuara prapa perdeve, korridoreve dhe skutave të diplomacisë apo sektorëve të tjerë. Shpalli dy herë me radhë pafajësinë e plotë dhe të paqena akuzat absurde për të cilat zoti Haradinaj u detyrua të paraqitej para kësaj Gjykate. Pra ky vendim është njëkohësisht një nder dhe dinjitet për Gjykatën e Hagës për të cilën Shqipëria ka vlerësimin dhe respektin më të madh dhe është përpjekur të japë kontributin e saj modest në lehtësimin e veprimtarisë së kësaj Gjykate”, theksoi kryeministri Berisha.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për hapësirat e gjera të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe u theksua se konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është interes jetik i shqiptarëve, ndërsa përpjekja për bashkim kombëtar është ideali udhëheqës i shqiptarëve kudo që ndodhen. “Me Haradinaj ne diskutuam për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ramë dakord që konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është interes jetik i shqiptarëve. Përpjekja për bashkim kombëtar është ideali udhëheqës i shqiptarëve kudo që ndodhen. Kemi bërë disa hapa serioze, por vullnetin politik e kemi për të vazhduar me vendosmëri të madhe të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Besoj se kjo është rruga që i jep mundësi këtij kombi që të shpalosë të gjithë potencialin e tij për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal”, tha ai.
Vëmendje iu kushtua gjithashtu çështjeve të shumë komentuara gjatë ditëve të fundit, siç pajisja me shtetësi shqiptare e të gjithë shqiptarë kudo ndodhen. Nisma për ligjin e shtetësisë shqiptare është cilësuar nga zoti Haradinaj, si rivendosje e një të drejtë historike për shqiptarët. “Nuk e shoh si një veprim në përmasa të tjera, por vetëm si një zbatim i një të drejte të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913”, tha Haradinaj. Ndërsa vetë Kryeministri Berisha sqaroi se me këtë iniciativë ai ka përsëritur veten, kur, me cilësinë e presidentit, në korrik të vitit 1992, nxori dekretin që, sipas të cilit, shtetësinë shqiptare kishte të drejtë ta fitonte çdo shtetas i huaj me kombësi apo origjinë shqiptare.

Berisha dhe Haradinaj iu përgjigjën më pas interesit të mediave

Zoti Kryeministër, Ish kryeministri Haradinaj është kthyer në një moment tepër të rëndësishëm historik, në skenën politike. Ju ndërkohë keni shpalosur dhe vazhdoni të shpalosni platformën për bashkimin kombëtar. Faktori shqiptar a ka një kohezion për të këtë çështje madhore të kombit dhe si e shikoni ju?
Sali Berisha: Unë mund të them këtu se ka një kohezion të plotë dhe total. Por i nderuar zoti Asllan (gazetari), kemi një problem. Në radhë të parë ju e dini që unë ju admiroj shumë ju mediave, por duke qenë i hapur  nuk mund të mos ju them atë që mendoj, se dhe ju kështu mi thoni mua. Problemi është memoria e mediave. Sapo unë u deklarova për nënshtetësinë shqiptare të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, u përballa jo vetëm me reagimin e albanofobëve, por edhe të mediave shqiptare, të cilave do ju kujtoj një moment. Lexoni dekretin e korrikut të vitit 1992 të ish presidentit Sali Berisha. Tu them të vërteten, me sinqeritet nuk e kisha lexuar, por nuk ka nevojë të lexosh gjerat që i do. Unë kisha riprodhuar në deklaratën time pikë për pikë dekretin. Në atë kohë nuk kishte një reagim, ndërsa tani që po ecën drejt këtij procesi, tani duket si një lloj habie. Në këtë Shqipëri janë aksionarë shqiptarët kudo që ndodhen edhe ata të diasporës. Historia nuk është për tu mohuar. Lexoni aktin e pavarësisë, kush e ka firmosur. Lexoni kuvendin  e parë, kush e përbënte. 18 delegatë ka pasur Kosova. Të vetët kanë pasur shqiptarët në Maqedoni. Dhe këto janë të vërteta pozitive, të cilat nuk lëndojnë askënd.
(Duke iu drejtuar gazetarit që bëri pyetjen) Nuk e kisha me ju, por shfrytëzova rastin për të bërë një reagim ndaj mediave. Unë e di që ju jeni dakord edhe me dekretin e Korrikut, edhe me deklaratën e tanishme. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.
Ramush Haradinaj: Unë mendoj se është e drejtë e bashkëkombësve kudo që ata jetojnë që të marrin shtetësinë shqiptare. Po flas për njerëzit që nuk jetojnë në kufijtë e Shqipërisë së 1913. Atyre iu jepet një e drejtë e tyre dhe është në vullnetin  e tyre për ta shfrytëzuar. Pra, nuk e shoh si një veprim në përmasa të tjera, por vetëm si zbatim i një të drejte të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të 1913-s, që ata me vullnetin e tyre mund ta shfrytëzojnë. Pra ju jepet një e drejtë që ju ka munguar në etapa të tjera.

Zoti Haradinaj, ju u kthyet nga Haga me një staturë të papërlyer, por keni vendosur të jeni pjesë e qeverisjes me qëllim përmirësimin e saj. Por analistë njohës të politikes në Kosovë sugjerojnë që partia juaj të qëndrojë në opozitë, pasi duke qenë pjesë e opozitës, ju merrni përsipër mëkatet e qeverisjes Thaçi. A nuk do të ishte më mirë që partia juaj të qëndronte në opozitë pasi kështu do të ndikonte më shumë në përmirësimin e qeverisjes?
Ramush Haradinaj: Partitë politike janë sovrane në vendime dhe vendimet  i marrin në bazë  analizës së tyre për gjendjen e caktuar dhe veprimeve që do të ndërmarrin. Ne jemi në dijeni për gjendjen në vend, për gjendjen në qeverisje, por e kemi vlerësuar si të drejtë marrjen e përgjegjësive edhe tani, në rast se arrijmë ti marrim, pra e kemi vlerësuar si përgjigje adekuate te gjendjes. Nuk bëhet fjalë për kalkulime se si është më mirë për  një parti politike apo për një lider, por si është më mirë për vendin tonë që përballet me sfida, me tema të ndjeshme.

Zoti Haradinaj, AAK është një parti e majtë apo e djathtë. Dhe në këtë kontekst kë shikoni ju si aleatë në Shqipëri?
Ramush Haradinaj: Ka kohë që në kuvendin tonë të partisë jemi përcaktuar si parti e profilit qendër e djathtë dhe kemi nderin që të kemi një partneritet me Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Zoti Kryeministër. Në mbledhjen e qeverisë në Vlorë kërkuat mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar, por dhe të fqinjëve tuaj. Në fakt Brukseli është shqetësuar, pasi në një rezolutë për Shqipërinë që pritet këtë javë do të ketë një amendament të veçantë që të ndalohen deklaratat nacionaliste që nuk i shërbejnë fqinjësisë së mirë. Ju do të vazhdoni me këto deklarata dhe do të bindni partnerët ndërkombëtare se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale për sa i përket çështjes kombëtare?
Sali Berisha: Lidhur me deklaratat, në Shqipëri ka një spektër të gjerë politik. Në këtë spektër Partia Demokratike pati shansin historik për të qenë partia e rivendosjes së të drejtave njerëzore dhe të minoritarëve dhe ajo ka mbetur dhe do të mbetet gjithnjë e tillë. Për sa i përket qëndrimeve të mia ndaj shtetësisë së shqiptarëve kudo që janë këto jam i bindur se kontribuojnë më shumë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe nga ana tjetër këto qëndrime janë adaptuar prore jo nga një, por nga disa vende të BE. Maqedonasit nuk kanë probleme përzierjesh identiteti apo rivalitet identiteti me shqiptarët. Ata kanë identitetin e tyre, shqiptarët kanë identitetin e tyre, por Bullgaria mike iu jep shtetësi atyre qytetarëve që duan të marrin shtetësinë bullgare. Nuk e ka bërë këtë në mënyrë absolute as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, përkundrazi dua të njoh këtu një meritë historike të qeverisë bullgare. Në kohën kur Sllobodan Millosheviçi dhe Kostandin Micotaqis thirrën të mblidhnin aleatë të tre shteteve Serbi, Greqi, Bullgari të krijonin një lloj aleance trilaterale, qartësisht kjo mbi baza fetare, Bullgaria mike iu tha Jo, nuk vij. Dhe Bullgaria një nga kontributorët në njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë. Po kështu Hungaria dhe vende të tjera, kjo është një praktikë që jo vetëm nuk destabilizon por përkundrazi prodhon më shumë stabilitet dhe zhvillim. Unë këto javë do të miratoj vendimin në qeveri, në përputhje me ligjin ekzistues, i cili autorizon dhënien për interesa ekonomike të shtetësisë shqiptare. Si thoni ju, tani, unë tu vë një taksë shqiptarëve për të marrë në shtetësinë shqiptare? Ata e kanë paguar këtë taksë. Për ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe pavarësisë, pavarësi, ata e kanë paguar taksën kudo që janë. Nuk mund t’i bëj unë të huaj ata. Për të huajt vendimi do të jetë shumë shpejt në qeveri dhe do të përcaktoj siç ka përcaktuar Bullgaria, siç ka përcaktuar Mali i Zi, siç ka përcaktuar Hungaria. Këto janë standarde, jo të shpikura nga Shqipëria. Do të ketë një shumë të caktuar. Ai që bën këtë investim do marrë shtetësinë shqiptare. Kjo është.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

“AAK, partneritet me PD-në - kryeministri Berisha, idhull i qytetarëve të Kosovës”

“I privilegjuar dhe nder i madh të jem sot në Shqipëri, pas sfidave nëpër të cilat kam kaluar”. Kështu u shpreh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kryeministrin Sali Berisha.
Ai tha se qytetarët e Kosovës e duan dhe e nderojnë kryeministrin Berisha, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë rrugëtimit të Kosovës si shtet i pavarur. “Ky nder shtohet edhe më shumë kur dihet se sa shumë qytetarët e Kosovës e duan dhe e nderojnë kryeministrin Berisha. Në rrugëtimin tonë si Kosovë, sidomos në kohët tona më të vështira, shpresa jonë gjithmonë ka qenë tek Shqipëria. Në rrugëtimin tonë si shtet dhe në sfidat e reja që na presin, kjo shpresë është e njëjtë. Ne vijmë këtu për të marrë më shumë energji, për të rritur motivet dhe për tu njohur më mirë me punët që na presim”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i AAK-së informoi se në takimin me kryeministrin Berisha u bisedua për sfidat e ardhshme të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe për shqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›