Brukseli mbështet progresin e Shqipërisë

“Zgjedhjet e qershorit janë sfidë, por nuk janë kusht”
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mbështesin progresin e arritur nga Shqipëria, por mbeten për t’u plotësuar tre kushtet që kanë të bëjnë me Gjykatën e lartë, statusin e nëpunësit civil dhe reformën parlamentare. Ministrja e Jashtme e Qipros është shprehur para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel se Shqipëria ka bërë hapa përpara. Të njëjtën gjë ka thënë dhe ministri i jashtëm bullgar i cili pret një lajm të mirë për Shqipërinë. Nga ana e tij ministri i jashtëm i Luksemburgut thotë se ka ndjekur me vëmendje reformën elektorale, dhe dialogu politik ka bërë hapa para, por për negociatat duhet një maturi politike më e madhe. Austria ka përsëritur se është për hapjen e negociatave. Sipas të gjitha deklaratave dhënia e statusit është shumë pranë, kushtet mbesin por nuk e kushtëzojnë atë. Shqipëria mbetet në kuadër të njëjtë me Serbinë dhe Maqedoninë për sa i përket nisjes së negociatave. Por një nga kushtet që vazhdon të përsëritet mbetet zgjedhjet e muajit qershor, edhe pse nuk përbëjnë një pengesë reale. Por as tre kushtet e sipërpërmendura nuk e kushtëzojnë dhënien e statusit kandidat. Përfundimisht nuk ka një datë të saktë, për vendimin, data më e shpejtë mbetet samiti i muajit marsi. Në takimin e sotëm, tre do të jenë temat kryesore në lidhje me Shqipërinë e para ka të bëjë me progresin e arritur nga vendi ynë, tre kushtet për marrjen e statusit dhe hapja e negociatave në bazë të plotësimit të 12 rekomandimeve. Nga ana tjetër Brukseli përçon një mesazh ndryshe nga ai i kryetarit të partisë socialiste Edi Rama, duke thënë se zgjedhjet e qershorit janë një sfidë e rëndësishme por nuk janë një kusht.
Sequi: Integrimi peng i politikëbërësve
Ministrja e Integrimit, Bregu: Sfidë e qeverisë të mos lejojë asnjë bllokim
“Integrimi i Shqipërisë ka mbetur peng i politikëbërësve, të cilët hyjnë në sallën e parlamentit pa ndërmarrë asnjë veprim konkret për miratimin e tre ligjeve”. Kështu u shpreh ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sekui, duke i dhënë një mesazh të qartë klasës politike shqiptare. “Vetëm pas miratimit të tre ligjeve, KE do të hartojë raportin për Shqipërinë në bazë të të cilit merret vendimi për dhënien ose jo të statusit kandidat”- u shpreh Sequi. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi sfidën e qeverisë shqiptare, për të mos lejuar bllokimin e ëndrrës së shqiptarëve. “Nuk mund të tolerohet nëse ka bllokim. Sfidë e qeverisë të mos lejojë asnjë bllokim. Të ftojmë dhe të riftojmë cdo ditë opozitën dhe liderin e opozitës të mos vazhdojnë bllokimin e integrimit”. Marrjen e statusit duket se e duan vetëm qytetarët shqiptarë. Sipas një sondazhi 87% e tyre duan të jenë qytetarë të vërtetë evropianë tha ambasadori Sekui duke numëruar tre shtyllat e rëndësishme për integrimin. “Vullneti i shqiptarëve, që është bërë i qartë në 20 vitet e fundit, ku ata kanë treguar se duan të integrohen; te vullneti i klasës politike shqiptare, integrimi duhet të jetë objektiv kombëtar dhe plotësimi i reformave mbeten në axhendën tonë për Shqipërinë, transformimi i vendit në demokraci funksionale dhe vullneti i BE dhe i donatorëve”- tha ai.
...