Berisha: Perspektiva e Kosovës, është në rrezik

Kryetari i Bashkimit Demokratik (BD) në Prizren, Zafir Berisha, të mërkurën, ka kritikuar ecurinë e zhvillimeve të përgjithshme politike në vend.
Ai tha se cilado ofertë apo platformë nga institucionet e Kosovës, për veriun e Kosovës, jashtë Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, rrezikon perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike të vendit.
“Bisedimet me Serbinë për çështje të brendshme të vendit vazhdojnë të jenë të papranueshme dhe tregojnë pa aftësinë e qeveritarëve të Kosovës karshi çështjeve jetike si dhe sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit”, tha Berisha, transmeton PrizrenPress.
Sipas tij, zhvillimet e fundit rreth lapidarit të dëshmoreve në Preshevë, tregojnë edhe një herë vazhdimësinë shoviniste Serbe, karshi shqiptarëve.
“Për këtë shqiptarët duhet të jenë unik jo vetëm për simbolikën e lapidarit që simbolizon luftën për liri të shqiptarëve në trojet e veta por edhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me faktorin shqiptarë ne Ballkan”, tha Berisha.
Kryetari i BD-së në Prizren, Zafir Berisha, ka kritikuar edhe qeverinë lokale të Ramadan Mujës.
“Për Bashkimin Demokratik jetën e qytetarëve edhe me të rëndë në Prizren e bën qeverisja e korruptuar e Ramadan Mujës, e cila me veprimet e veta vazhdon të degradojë vlerat institucionale duke favorizuar nepotizmin, shkeljet ligjore dhe keqpërdorimin e parasë publike”, tha Berisha.
Sipas tij, ngritja e tatimit në pronë është diskrepancë me realitetin ekonomik.”Kjo tregon edhe një herë se qeverisja në Prizren, vepron në bazë të parallogarite manipuluese për faktin se këtë vit ka zgjedhje dhe grumbullimi i mjeteve në kurriz të qytetarëve ka për qëllim që të përdorët për investime manipuluese në shërbim të politikave degraduese”, tha Berisha.
Ai njoftoi se Bashkimi Demokratik në kuadër të aktiviteteve të veta nga java e ardhshme fillon mbajtjen e kuvendeve zgjedhore brenda partisë, ku me këtë rast pritet të krijohet hapësirë për qytetarët e të gjitha kategorive./Indeksonline/