E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi: Bashkimin Kombëtar duhet ta bëjnë qeveritë shqiptare

Bashkimi Kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është një çështje që ka kohë që është ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, iniciativën për Bashkim Kombëtar e ka marrë Aleanca Kuq e Zi. Zyrtarë të kësaj Aleance, kanë dorëzuar kërkesën për referendum për Bashkim Kombëtar.

E kjo iniciativë është pritur shumë mirë nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për Indeksonline se ky është një hap i qëlluar i Aleancës Kuq e Zi.

Selimi ka thënë se Vetëvendosje mbështet çdo iniciativë që ka të bëjë më këtë çështje.

“Çdo iniciativë, çdo hap që ka të bëjë më Bashkimin Kombëtar, Lëvizja Vetëvendosje e përkrahë fuqimisht” ka thënë Selimi për Indeksonline.

Mirëpo, sipas deputetit Rexhep Selimi, kjo iniciativë duhet të merret nga të dy qeveritë shqiptare.

“Bashkimi Kombëtar duhet të ndodh dhe një iniciativë e tillë duhet të merret nga të dy qeveritë. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të marrin këtë iniciativë, pasi që Bashkimi Kombëtar do të ndodh mes këtyre dy shteteve” ka thënë Selimi për Indeksonline.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi kanë dorëzuar zyrtarisht në Protokollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e Aleancës Kuq e Zi për mbajtjen e referendumit dhe pajisjen me dokumentacionin zyrtarë për nisjen e mbledhjes së 50 mijë nënshkruesve të cilët do të kërkojnë mbajtjen e tij./T.Q/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›