Berisha: Përurimi i xhamisë së Namazgjasë, ngjarje e veçantë për besimtarët myslimanë

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi sot se përurimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, 11 vite pas fillimit të ndërtimit, është një ngjarje e veçantë për besimtarët myslimanë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha tha se ky tempull fetar madhështor zbukuron gjithashtu kryeqytetin e vendit.
“Me këtë rast uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë të Tiranës dhe të Shqipërisë për xhaminë e re madhështore ku do t’i falen, luten Zotit të Madhërishëm”, tha ai.
Sipas Berishës, “ndërtimi i kësaj Xhamie nisi me datë 20 prill 2013 pasi qeveria e PD-së i riktheu tokën e konfiskuar nga regjimi komunist komunitetit mysliman, të cilën e pengoi për 11 vite Edi Rama si kryetar bashkie”.
“Projekti i saj i ishte bërë nga njëra prej studiove më të famshme në botë. Por pas zgjedhjeve, Rama në një akt të papërgjegjshëm e ndërpreu ndërtimin Xhamisë së Namazgjasë. Fillimi i ndërtimit të xhamisë u përurua për së dyti me datë 20 prill 2015, por me projekt të ndryshuar dhe në prani të njeriut që e kishte penguar me të gjitha mënyrat rikthimin e tokës komunitetit mysliman dhe ndërtimin e Xhamisë, Edi Ramës dhe Presidentit të Republikës së Turqisë Erdogan, i cili, me sa duket, ndikoi tek Rama që të mos pengonte ndërtimin e saj dhe mori përsipër financimin e ndërtimit të xhamisë”, shtoi Berisha.
Berisha tha se xhamia është dhuratë e besimtarëve myslimanë turq për besimtarët myslimanë të Tiranës.
“Gjej rastin t’u shpreh atyre mirënjohjen më të thellë për bujarinë e tyre. Mirëpo kjo bujari e besimtarëve myslimanë të Turqisë u përdor nga Edi Rama për qëllime politike, por dhe më keq, për të ngjallur farën e përçarjes së myslimanëve shqiptarë, siç bëri së fundmi me shtetin e pavarur islamik bektashi. Nën këtë moto të përçarjes sot në shkelje e statutit 100-vjeçar të KMSH-së nuk do jetë në përurim kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe ky është një ofendim për të gjithë besimtarët myslimanë të Shqipërisë që ai në mënyrë legjitime përfaqëson”, shtoi Berisha.
Berisha theksoi se “Partia Demokratike nuk pajtohet me këto ndërhyrje antikushtetuese të papranueshme politike nga brenda apo nga jashtë në çështjet e besimeve fetare”.
“Ajo e konsideron tolerancën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërfetar si një vlerë hyjnore të shqiptarëve dhe garanton besimtarët mysliman dhe të krishterë shqiptar se kjo parti, në respekt të plotë të lirisë së besimit të qytetarëve shqiptarë, do të ruajë të paprekur parimin Kushtetues të ndarjes së shtetit nga besimet fetare në Shqipëri”, theksoi Berisha.
/m.m/r.e/a.f/