E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Po, Mediu firmosi për Gërdecin

Javën e kaluar, Shqipëria u ftua të anëtarësohej në NATO. Kryeministri shqiptar e përshkruan këtë si "ngjarjen më të madhe politike" të dy dekadave të fundit. Ai thotë se vendi është shkëputur nga "bunkerët, telat me gjemba dhe kampet e shumta të përqendrimit, dhe është kthyer në një vend demokratik e me një ekonomi të lirë tregu. Por sërish ka një problem të madh me korrupsionin dhe asnjë palë zgjedhje nuk janë cilësuar plotësisht të lira dhe të ndershme.

Pse ishte kaq e rëndësishme për Shqipërinë të anëtarësohej në NATO?

Unë mendoj se është e një rëndësie thelbësore për shumë arsye. Së pari, pas shekujsh vendi im është kthyer në familjen të cilës i përket. Së dyti, NATO ka provuar se është mburoja e lirive në hapësirën e saj. Bashkimi në NATO do të thotë të kesh mburojën më të mirë të të gjitha kohërave për liritë e tua. Imagjinoni një vend si i yni, që për shekuj, historia ka qenë si e njerkës.

Historia e vendit tim është një histori mbijetese. Çka do të thotë e ardhme. Tani ne jemi të lirë dhe kemi një mburojë për liritë tona. Kjo do të thotë se po ndërtojmë të ardhmen tonë. Por, NATO, do të thotë shumë më tepër, për rajonin. Ishte NATO që zgjidhi konfliktet në Ballkan dhe unë jam i sigurt se pa NATO-n, Ballkani, luftërat në Ballkan do të ishin shumë herë më të mëdha.

Por, Shqipëria u bashkua me klubin e NATO-s, ndërsa Maqedonia jo. Ju e keni cilësuar këtë si një problem shumë serioz. Ne e dimë tani se Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çfarë mendoni se do të thotë kjo për Maqedoninë?

Mendoj se Maqedonia ka bërë një performancë shumë të mirë për sa u takon reformave. Ata kishin një çështje specifike për të zgjidhur dhe kjo ishte çështja e emrit. Një mosmarrëveshje mes saj dhe Greqisë. Unë besoj se kjo çështje duhet zgjidhur dhe është në interesin jetësor të Maqedonisë të marrë ftesën dhe të jetë anëtare e NATO-s.

Mosmarrëveshja është e tillë. Greqia mendon se Maqedonia nuk duhet të quhet Maqedoni për shkak se ky është emri i një krahine veriore të saj. Por, nëse qartësisht Greqia nuk është e kënaqur me këtë, por nëse Maqedonia nuk pranohet në NATO, çfarë do të ndodhë, çfarë nënkuptoni ju kur flisni për një "problem serioz"?

Përfundimisht, do të kishte atje një ishull të paintegruar dhe kjo nuk do të ndihmonte aspak. Por, unë jam optimist se një zgjidhje për emrin do të gjendet.

Por, çfarë nënkuptoni ju me një ishull të paintegruar?

Nëse Maqedonia nuk do të jetë, nuk do të marrë ftesën dhe nuk do të ketë një zgjidhje, atëherë radikalët nga të gjitha grupet etnike do të hakmerreshin dhe do të shpalosnin ambiciet e tyre, çka është shumë e rrezikshme për rajonin. Vetë Maqedonia, është një vend shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Jugperëndimor.

Pra, ju po thoni se për shkak të mos hyrjes së Maqedonisë në NATO ka një rrezik real që grupe të ndryshme brenda Maqedonisë mund t‘i drejtohen dhunës?

Unë mendoj se radikalët janë në gjendje të provokojnë shumë telashe, por mendoj se rruga që duhet ndjekur është zhvillimi i një dialogu të fortë dhe gjetja e një zgjidhjeje. Ata janë afër zgjidhjes, nuk janë shumë larg saj. Dhe unë isha në drekën me Presidentin Bush dhe ai premtoi se edhe qeveria e tij do të bënte më të mirën e mundshme për të gjetur një zgjidhje.

Por është shumë vonë për qeverinë e Maqedonisë që tani duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Unë mendoj se këto zgjedhje të përgjithshme kanë ardhur kryesisht për shkak të problemeve të brendshme mes partive të koalicionit. Ata kanë një marrëveshje, marrëveshjen e Ohrit, nga e cila partitë politike shqiptare kërkojnë hapa të tjerë më të rëndësishëm për implementimin e saj. Së dyti, është e sigurt që janë nën një presion të jashtëzakonshëm për shkak të mungesës së ftesës në Samitin e Bukureshtit, por në fund të fundit, zgjedhjet janë një mekanizëm demokratik. Ato mund të ngadalësojnë pak procesin, por pas tyre, ato mund të fuqizojnë akoma më shumë edhe dialogun mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Le të kthehemi te Shqipëria. Anëtarësimi në NATO nuk varet nga ndonjë gjë, por pritet që reformat të vazhdojnë në Shqipëri. Një prej tyre, që është sugjeruar shpesh, si pjesë edhe e anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në BE, është se ju, si vend, duhet të luftoni korrupsionin. Dhe ishte diçka që edhe ju vetë kur u zgjodhët e premtuat dhe e paraqitët si një ndër prioritetet e para, kthimin e besimit të qytetarëve te qeveria e tyre...

Po, absolutisht. Ishte një sistem, por më lini t‘ju paraqes çfarë ka bërë qeveria jonë. Pikësëpari, ne e nxorëm qeverinë tonë jashtë konflikteve të interesit. Askush në qeveri nuk mund të ketë konflikt interesi, ndërsa më herët ministrat kishin monopole, monopole private. Së dyti, ne filluam luftën kundër korrupsionit, duke filluar nga zyrat tona. Çka do të thotë që ne plotësuam disa standarde që parandalojnë përdorimin e fondeve publike për qëllime private dhe personale dhe kjo na lejoi të shkurtonim shpenzimet operative për administratën nga 3 për qind të GDP-së në 2.1 për qind të GDP-së ose ndryshe në më shumë se 30 për qind. E treta, ne zvogëluam qeverinë, 25 për qind për sa u takon portofolave, 33 për qind në punonjës të administratës, 16 për qind të shërbyesve civilë. Tani ne kemi një ndër qeveritë më të vogla për frymë në Evropë.

Por pse "Transparency International", që është edhe një barometër global për korrupsionin, thotë se vitin e shkuar Shqipëria ishte në krye të listës së të korruptuarve. Përkrah vendeve si Kameruni, Nigeria...

Unë i kam takuar ata. Erdhën në Tiranë dhe i panë gjërat vetë. Sepse "Transparency" punon me perceptime dhe unë jam shumë i kënaqur, sepse ata bënë një vizitë shumë të mirë në Shqipëri dhe unë u tregova atyre të gjitha rezultatet.

Por ju nuk mund të thoni se ata punojnë me perceptime, sepse ata kanë marrë në pyetje njerëz dhe 71 për qind e të anketuarve në Shqipëri nga "Transparency International" kanë paguar një ryshfet për një shërbim, gjatë vitit të shkuar.

-Është shumë më e ulët kjo shifër. Është perceptimi që ata mendojnë se kanë paguar.

71 për qind janë përgjigjur se kanë paguar...

Jo, është perceptimi se kanë paguar, jo kanë paguar. Jo.

Nuk është perceptim. "Transparency" pyet njerëzit dhe ata përgjigjen?

Më lini t‘ju shpjegoj. Unë kam folur me ta dhe çfarë më kanë deklaruar, pasi kishin dalë nga zyra ime: Ka rezultate shumë impresionuese në luftën kundër korrupsionit. Duke thënë këtë, unë nuk them se nuk ka korrupsion. Ka korrupsion në Shqipëri. Por, ka edhe një luftë shumë të fortë kundër tij. Le të ndalemi te korrupsioni, ku ndeshet më shumë ai: në taksa, në dogana, në informalitet?

Po, ku ndeshet më shumë?

Vetëm në tre vjet, një buxhet i dytë është arritur duke luftuar korrupsionin dhe këtë vit, pavarësisht një uljeje dramatike të taksave, Shqipëria ka siguruar 1.2 miliardë dollarë amerikanë më shumë në buxhetin e saj.

Pra, a është Shqipëria e korruptuar tani?

Në Shqipëri ka korrupsion, por Shqipëria po e lufton korrupsionin. Madje, me sukses. Dhe janë më shumë se 50 persona të arrestuar për këtë shkak.

Por zoti Kryeministër, më lindi t‘ju paraqes ju një tjetër statistikë. Vetëm 22 për qind e të anketuarve nga "Transparency International" janë përgjigjur se prisnin që korrupsioni të ulej gjatë tre viteve të ardhshme. Tani, shikoni nga fqinji juaj, Kosova. Ka 52 për qind që presin që korrupsioni të bjerë dhe kushtet janë të ndryshme?

Së pari, do të thosha se është media, që gjithsesi ka të drejtë, që bën një zhurmë të madhe për korrupsionin dhe kjo i impresionon njerëzit. Dhe kjo është e paevitueshme, unë jam shumë realist. Por, gjithashtu, me reforma të thella, rezultatet do të vijnë gjithnjë e më të shumta.

Unë nuk po citoj median. Unë e di se ju jeni shumë kritik ndaj medias...

Unë nuk jam kritik për mediat, por po them...

Nuk hyn media këtu, por janë zgjedhës që janë pyetur nga "Transparency International"?

Këto janë sondazhe. Nëse sondazhet do të ishin gjithnjë të besueshme, unë nuk do të zgjidhesha kurrë në 2005-ën.

Por 71 për qind e njerëzve thonë se kanë paguar një ryshfet për një shërbim, vitin e shkuar...

Unë vetë ju thashë se ka ryshfete, por kjo jo në përmasa të tilla. Sepse ne po punojmë. Po dixhitalizojmë procedurat, po rivlerësojmë procedurat, po përmirësojmë procedurat dhe shërbimet.

Shumë njerëz mund të mendojnë, në rregull, ju keni bërë ndryshime, keni punuar. Por ajo që duket se ka tronditur më shumë njerëzit në Shqipëri është ajo që ndodhi në Gërdec. Ishte një shpërthim municionesh dhe në të mirë të të gjithë atyre që janë jashtë Shqipërisë, ndoshta gjëja më e mirë që ne mund të bëjmë është t‘ju pyesim ju, a mund të na thoni çfarë ndodhi?

Po, ndodhi një shpërthim i tmerrshëm. Por, unë duhet të saktësoj. Nuk bëhet fjalë për një bazë ushtarake. Bëhet fjalë për një qendër demolimi të një kompanie private.

Që ishte bazuar në një depo armatimesh. Ne duhet të shpjegojmë që kishte një shpërthim të fuqishëm, shpërthime që zgjatën për 14 orë, 24 persona vdiqën...

Po, është e vërtetë, ishte një shpërthim i tmerrshëm, 24 persona vdiqën. Por nuk ishte një bazë ushtarake, ishte një qendër demolimi e një kompanie private. Nënkontraktuese ishte një kompani private. Dhe ka një hetim të plotë që po vazhdon, por, ajo ndodhi. Çfarë ndodhi më pas. U vu në zbatim operacioni më i suksesshëm dhe energjik i kërkim shpëtimit. Ushtria jonë, policia jonë, civilët tanë, shpëtuan edhe shumë jetë të tjera në situatën më të vështirë. Reagimi ishte i menjëhershëm, i përshtatshëm dhe dëmi u kufizua në maksimum.

Por çfarë ndodhi si rezultat i atij shpërthimi. Shumë njerëz kanë parë diçka që i ka tmerruar. Ne pamë imazhe që i përkasin kohës para shpërthimit, të grave dhe fëmijëve që punonin me gëzhojat e mbushura me eksploziv në atë vend.

Pa diskutim atje ka pasur papërgjegjshmëri njerëzore. Kjo është e sigurt. Por sërish po e përsëris, bëhet fjalë për një nënkontraktues. Ishte nënkontrakta e parë që ne bëmë.

Ishte qeveria që e kishte vendosur këtë qendër demolimi atje. A ishte ky një gabim?

Ishte pa dyshim një gabim për mua. Një gabim i plotë. Por përsëris sërish, nuk ishte një bazë ushtarake.

Më falni Kryeministër, qeveria vendosi të ngrihej atje kjo qendër e demolimit të municioneve në atë depo ushtarake, vetëm 6 milje larg Tiranës. A ishte një vendim qeveritar që ajo të ngrihej atje?

Ishte vendimi i ministrisë përkatëse. Po.

Pra ishte një vendim i qeverisë dhe ishte një gabim...?

Po, ishte një gabim i qartë sipas këndvështrimit tim. Përfundimisht, ishte një gabim i madh.

A e dinit ju çfarë po ndodhte në atë qendër?

Jo, absolutisht jo.

Ju nuk e kishit idenë?

Jo, nuk e kisha idenë.

Pse jo?

Sepse sipas ligjit shqiptar, vetë Kryeministri nuk ka asgjë të bëjë me dislokimin e ushtrisë. Asgjë. Është ndryshe. Zinxhiri i komandave është i ndryshëm. Ndaj..

Zoti Berisha, baxhanaku juaj ishte një mbikëqyrës në atë vend. Dhe ai është një ndër të vrarët.

Absolutisht jo. Baxhanaku im, të cilin unë nuk e kam takuar asnjëherë, nuk ishte mbikëqyrës. Ishte një punonjës atje. Ishte kthyer nga emigrimi në Britaninë e Madhe dhe gjeti punë atje dhe vdiq atje.

Pra, ju nuk keni asnjë ide për gratë dhe fëmijët që punonin atje...

Absolutisht jo.

Ka pasur edhe reagime të mëtejshme. Për shkak të asaj që ka ndodhur atje, opozita kërkon dorëheqjen tuaj. Pse ndodh kjo. Pasi ka pasur zëra se shumë më tepër ka ndodhur në atë vend dhe ndoshta me dijeninë e plotë të qeverisë. A mund të garantoni ju se atje nuk kishte asnjë shitje të paligjshme të municioneve që duhej të çmontoheshin?

Së pari, unë nuk kam asnjë ide që atje mund të ketë pasur shitje municionesh. Së dyti, ka një hetim shumë, shumë intensiv që përfshin të gjitha aspektet. Së treti, cili ishte gabimi njerëzor apo cili ishte shkaku, do të përcaktohet nga hetimi. Kjo është gjithçka që unë mund të them. Është një proces për të cilin unë nuk kisha dijeni.

Ministri juaj i Mbrojtjes e dinte...

Po, ministri ynë i Mbrojtjes e dinte, sepse ai firmosi urdhrin, por ai nuk e njihte realitetin që po ndodhte atje.

Ai dha dorëheqjen...

Po ai dha dorëheqjen dhe ky ishte një vendim politik.

Ka njerëz që thonë edhe se ju duhet të largoheni?

Njerëz?

Opozita...

Opozita kërkon çdo tre muaj që unë të jap dorëheqjen. Kjo është e drejta e saj. Opozita ka të gjitha instrumentet. E kam ftuar atë të paraqesë mocion mosbesimi në Parlament.

Çfarë garancish mund t‘u jepni shqiptarëve se ju do të jeni tërësisht të hapur për një hetim publik për atë që ndodhi atje?

Do të ketë një hetim të plotë dhe të hapur. Skuadra e prokurorëve po asistohet nga 6 grupe ekspertësh amerikanë, të cilët siç më është thënë, kanë hetuar edhe për sulmet e 11 shtatorit. Ndaj do të ketë një hetim të plotë.

Pas kësaj, ka pasur edhe një investigim të "New York Times", e cila ka investiguar kompaninë amerikane AEY, e cila ka furnizuar me armë Afganistanin, armë të prodhuara në vitet ‘60-të dhe supozimi është se kjo kompani ka nënshkruar kontrata me disa vende ish-komuniste përfshirë edhe Shqipërinë?

Po. Kompania amerikane ka pasur një kontratë me Pentagonin. Kompania amerikane ka paraqitur atë që quhet "Power of Appointment", ndaj një kompanie qipriote. Po bëhet një hetim i plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu edhe në Shqipëri. E vërteta për municionet e vjetra është se askush nuk mund ta fshehë moshën e tyre, pasi një gjë e tillë është e pamundur.

Si do ta përshkruanit veten si i mbijetuar në politikë?

Unë e përshkruaj veten siç e fillova dhe po vazhdoj dhe jam shumë i lumtur që e shoh vendin si anëtar të NATO-s. Unë jam lideri i parë i opozitës në një vend ish-komunist që kam kërkuar anëtarësimin e vendit në NATO.

Disa thonë se ju jeni i vetmi politikan i mbijetuar nga periudha komuniste?

Unë nuk kam qenë politikan në kohën e regjimit komunist. Kam qenë një studiues shkencor dhe kardiolog shumë i pasionuar. E kundërta është e vërtetë.

Nuk është e vërtetë se ju keni qenë kardiologu i diktatorit komunist?

Nuk kam qenë asnjëherë. Shokët e mi kanë qenë, por unë asnjëherë. Unë nuk kam qenë, pasi nuk plotësoja kushtet e tij. Unë nuk plotësoja kriteret e përcaktuara nga vetë ai.

Ju keni qenë një anëtar i Partisë Komuniste?

Jo, nuk është e vërtetë, sepse kishte kritere dhe unë nuk i plotësoja.

Por ju keni qenë asokohe anëtar i Partisë Komuniste dhe më pas, President gjatë kohës së rënies së skemave piramidale?

Po, unë jam angazhuar në themelimin e partisë së parë opozitare, me miqtë e mi në fillim të viteve ‘90. Përfundimisht ne vazhduam me reformat më të thella dhe të gjithanshme. Pati një zhvillim të skemave piramidale, askush nuk e ngriti zërin në rang kombëtar apo ndërkombëtar. Unë vetë isha ai që vendosa mbylljen e tyre kur mësova se ishin piramida. Njerëzit dhe opozita pretenduan se Partia Demokratike kishte gisht në këto skema, mori paratë. Unë shpalla zgjedhjet e parakohshme, nuk u largova nga vendi dhe pati një hetim 2-vjeçar dhe në fund qeveria e atëhershme u detyrua të pranonte se qeveria e Partisë Demokratike nuk ishte e përfshirë në skemën e piramidave.

Ju thatë se keni qenë për dy mandate President në vitet ‘90? U rikthyet më vonë në vitin 2005 si Kryeministër. Çfarë do të ndodhë në vitin 2009.

Në vitin 2009, do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin. Vendimi im i palëkundur është t‘u mundësoj atyre të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.

A do të jetë OSBE e aftë të thotë se zgjedhjet e 2009-ës si të lira dhe të ndershme, për të cilat nuk ka qenë ende në gjendje ta bëjë një gjë të tillë?

Sigurisht. Unë jam shumë optimist që po, sepse në zgjedhjet lokale ka pasur vetëm probleme teknike, asnjë ndërhyrje politike. Opozita i cilësoi ato si të lira dhe të ndershme, por mangësitë kishin të bënin kryesisht me listën e zgjedhësve. Ne po punojmë për krijimin e regjistrit elektronik të shtetasve, kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.

Ju garantoni se do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009?

Absolutisht po.

Dhe ju do të jeni Kryeministër pas kësaj?

Këtë do ta vendosin shqiptarët. U takon atyre të vendosin.

Si mendoni se do të gjykoheni gjatë viteve në vazhdim?

Unë nuk punoj për historinë, por punoj për jetën e përditshme. Kjo është motoja ime. Unë punoj me projekte. NATO ishte ideali im. Unë do të bëj çdo gjë për anëtarësimin e plotë. BE-ja është projekti i radhës i madh. Ne po implementojmë me seriozitet MSA-në në çdo fushë dhe pas kësaj ne do të jemi vend kandidat. Ne kemi strategjinë, kemi burimet dhe do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të vendosur për këtë.

Zoti Berisha ju faleminderit!

Ju faleminderit juve!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›