E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvajti jep 4 milionë USD për viktimat e Gërdecit

Kuvajti ka dhënë 4 milionë dollarë në ndihmë të viktimave të Gërdecit, duke u bërë kështu vendi që ka dhënë më shumë për tragjedinë e 15 marsit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje një delegacion të lartë të Shtetit të Kuvajtit, të kryesuar nga Ismail Al Shati, këshilltar i Kryeministrit të Shtetit të Kuvajtit dhe Burges Al Byrges, kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit, të cilët i dorëzuan kreut të shtetit shqiptar një kontribut financiar prej 4 milionë dollarësh për të dëmtuarit e ngjarjes tragjike të Gërdecit. Sipas zyrës së shtypit pranë Presidencës, Presidenti Topi vlerësoi për solidaritetin e jashtëzakonshëm njerëzor, psikologjik dhe ekonomik të shprehur për të prekurit e ngjarjes të Gërdecit, si dhe vuri në dukje se "janë marrë masa të menjëhershme për kapërcimin e situatës së emergjencës dhe po punohet për stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e jetës në rrjedhën e saj normale". Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për këtë donacion dhe në emër të gjithë banorëve të zonës së Gërdecit. "Natyrisht, ky çek është tregues i qartë i asaj miqësie të konsoliduar që ekziston midis Shqipërisë dhe Kuvajtit, vende që, përveç një tradite të shkëlqyer në marrëdhënie, kanë rritur ndjeshëm dialogun politik në nivelet më të larta dhe kanë hapur një perspektivë zhvillimi në të gjitha fushat", deklaroi Presidenti Topi. Kreu i Shtetit informoi se "sikurse e kërkon rregulli, Institucioni i Presidentit, do ta dorëzojë çekun në llogarinë që është specifikuar për zonën e dëmtuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›