E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pranoj negociatorë këdo që bind Ramën

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, pranon si kryenegociator në bisedimet me Edi Ramën, këdo që bind atë për hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit, por pa hapur kutitë e votimit. Sipas tij, hetimi mund të përfshijë çdo gjë dhe çdo pretendim të opozitës, por jo daljen mbi vendimet e gjykatave të pavarura. Ndër garancitë që Berisha i jep PS-së kundrejt pezullimit të bojkotit ndaj Parlamentit, është pikërisht fakti se nuk do të refuzonte askënd që do të ndërmjetësonte bisedimet me Ramën, qoftë ky dhe Presidenti Topi. Pikërisht sa i përket ofrimit të Presidentit Bamir Topi si negociator, Berisha pohoi qartë se në rast se kreu i shtetit arrin të bindë Ramën për t'iu përshtatur rregullave themelore të shtetit ligjor, që janë respektimi i vendimit të gjykatave, atëherë ai është i gatshëm për dialog. "Në përputhje me interesin e vendit jam i gatshëm që të pranoj çdo negociator. Nëse Topi arrin të bindë Ramën për t'iu përshtatur rregullave, unë jam gati për bisedime", - u shpreh Berisha. Kryeministri vuri dje në dukje se nëse shpërblehet bojkoti, atëherë legjitimohet revolucioni permanent. Në një situatë të tillë dhe vetëm disa orë pas rezolutës së Këshillit të Evropës, Kryeministri Berisha ftoi liderin e opozitës Edi Rama të ndërpresë bojkotin dhe të vendosin dialogun menjëherë në Parlament me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet. Duke iu referuar disa here rezolutës, e cila e vendos hetimin e zgjedhjeve brenda kornizës kushtetuese, çka do të thotë në mënyrë të qartë jo dalje mbi vendimet e gjykatave siç kërkon opozita, z. Berisha bëri dje të ditur se objekt i hetimit nuk mund të jetë hapja e kutive dhe rinumërimi i votave. “Mendoj se është bërë universalisht e qartë se bojkoti nuk mund të pranohet. Jam këtu për të ftuar z. Rama të dëgjojë zërin e sinqertë të tempujve të demokracisë evropiane. Hetimi mund të përfshijë çdo gjë tjetër, por jo vendimet e gjykatave, kjo është absolutisht jashtë çdo lloj koncepti. Sovraniteti i gjykatave është i paprekshëm nga çdo autoritet tjetër, parlament, qeveri ose president qoftë ai”, - u shpreh z. Berisha. Në këto kushte, Kryeministri i vendit njoftoi përmes konferencës së djeshme për shtyp se jo vetëm mirëpret ndërmjetësimin e Presidentit Bamir Topi për të bindur z. Rama të hyjë në Parlament, por rikonfirmoi gatishmërinë e tij për bisedime direkte me zotin Rama. “Gjatë kësaj periudhe janë jo të paktë personat, personalitetet që vijnë dhe më thonë: Do të ndërmjetësojmë! Unë nuk refuzoj asnjeri. Nëse Presidenti e gjykon se mund të bindë Ramën për t’u përshtatur me rregullat e shtetit ligjor, që janë respektimi i vendimit të gjykatave, unë e pres pa diskutim. Jam gati të ulem që nesër për bisedime me Ramën dhe me cilindo tjetër”, - deklaroi Kryeministri. Duke cituar disa deklarata të Presidentit Topi se nuk del mbi vendimet e gjykatave, i pyetur nga gazetarët, z. Berisha la të kuptohet se edhe me ndërmjetësimin eventual, Presidenti nuk do të pranojë si negociatë rinumërimin e votave. "Kam dëgjuar Presidentin të deklarojë në mënyrë të përsëritur se si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai nuk mund të konceptojë që të merret me vendimet e gjykatave", - tha Kryeministri Berisha. Në një kohë kur kanë mbetur vetëm pesë javë nga afati 6-mujor i Kushtetutës për mandatet, Kryeministri Berisha pohoi se vazhdimi i bojkotit përtej kësaj periudhe do të thotë djegie e mandateve të deputetëve aktualë socialistë, duke konsideruar njëkohësisht si joserioz skenarin e përfolur për bërjen e betimit dhe daljen sërish nga Parlamenti të deputetëve socialistë. “Kushtetuta e vendit nuk mund të mbetet kurrë peng i bojkotit. Këtu është zoti Rama që vendos t’ua djegë ose jo mandatin deputetëve të vet”, - u shpreh z. Berisha. Ai siguroi se opozita do të jetë zëri kryesor i reformave dhe asaj do t’i lihen të gjitha hapësirat e nevojshme.

Presidenti? Berisha: Të zgjidhet nga populli

Nëse do të duhej të zgjidhte mes dy alternativave, një president nga parlamenti apo nga populli, Kryeministri Sali Berisha do të preferonte mënyrën e fundit, atë përmes referendumit. I pyetur nëse është i gatshëm t’i lërë opozitës të drejtën e propozimit të Presidentit të ardhshëm dhe prokurorit të Përgjithshëm, z. Berisha u shpreh: "Kushtetuta është përcaktuar shumë qartë dhe fatmirësisht kjo reformë kushtetuese është bërë me pëlqimin e plotë të dy palëve". "Unë doja që Presidenti të zgjidhej nga populli, z. Rama ishte tërësisht kundër dhe unë pranova. Ndërsa prokurorin e Përgjithshëm e emëron Presidenti i Republikës dhe votohet në Parlament. Nuk mund të them se ka kontroll të PD-së apo PS-së në këtë emërim", - u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›