Kufiri Detar Qeveria, rishikim marrëveshjes me Greqinë
Pas rrëzimit në Kushtetuese, qeveria e Tiranës do të autorizojë menjëherë grupin për të nisur punën, pasi Shqipëria dhe Greqia do të kenë marrëveshjen e tyre për kufijtë detarë. Duke shprehur bindjen se në këtë marrëveshje ligji i detit është zbatuar me korrektesën më të madhe, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se "do provohet për së dyti vërtetësia e kësaj që Gjykata ka vendosur".
Marrëveshja me Greqinë për ujërat detare do të rishikohet në bazë të vendimit që ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Këtë pohoi dje Kryeministri Sali Berisha teksa siguroi se pavarësisht rrëzimit, do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai lajmëroi se do të autorizohet menjëherë grupi për të nisur punën, pasi Shqipëria dhe Greqia do të kenë marrëveshjen e tyre për kufijtë detarë. "Megjithëse nuk është zbardhur vendimi, ne nuk mund ta diskutojmë atë, pavarësisht se na pëlqen ose jo. Të pëlqen ose jo, ky vendim do të pranohet. Por marrëveshja me Greqinë do të ecë para sepse do të rishikohet", - theksoi Berisha. Ai shtoi se marrëveshja me Greqinë do të ecë përpara dhe përcaktimi i kufirit shtetëror me vendin fqinj jugor është shumë i rëndësishëm. Berisha theksoi se çështje të këtij lloji jo vetëm me Greqinë, por me çdo vend tjetër anëtar të NATO-s do të zgjidhen në përputhje me konventat ndërkombëtare, në mënyrën më të mirë që ekzistojnë. Berisha informoi se "do të autorizohet menjëherë grupi për të nisur punën, pasi Shqipëria dhe Greqia do të kenë marrëveshjen e tyre për kufijtë detarë". Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se qeverisë shqiptare do t’i duhet të nënshkruajë marrëveshje të të njëjtit lloj dhe me vende të tjera dhe do ta bëjë këtë bazuar në konventat ndërkombëtare. Duke shprehur bindjen se në këtë marrëveshje ligji i detit është zbatuar me korrektesën më të madhe, Kryeministri u shpreh se "do provohet për së dyti vërtetësia e kësaj që Gjykata ka vendosur". "Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të diskutohet, por ai do zbatohet. Kufirin shtetëror me vendin fqinj, vendin mik, një vend anëtar i NATO-s, ne do ta përcaktojmë pasi kjo është shumë e rëndësishme", - tha Kryeministri. Kryeministri Berisha u shpreh: "Kjo do të vazhdojë edhe me vende të tjera dhe nëse kemi probleme, ne do t’i zgjidhim ato në përputhje me konventat ndërkombëtare, pasi ekzistojnë ligjet më të mira".
Gjithsesi, Berisha shtoi se vendimi i Kushtetueses nuk është zbardhur ende dhe se pret të njihet me të në rrugë zyrtare.
Më 26 janar Gjykata Kushtetuese rrëzoi me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Në një njoftim zyrtar, Gjykata Kushtetuese theksoi: "Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njoftoi se në mbledhjen e saj të dt. 26.1.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës vendosi njëzëri të deklaronte si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Kushtetuesja sqaron më tej pikat ku anëtarët e Gjykatës dyshojnë se shkelen ligjet nga pakti detar. "Gjykata Kushtetuese theksoi se në projektmarrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982".