E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Pr/buxheti 2012 shkon në investim, autobusi i PS drejt etërve

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha ftoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, deputetët të diskutojnë dhe miratojnë pr/buxhetin 2012, ndërsa akuzoi PS se mashtron me programet për heqje taksash.

Berisha ia ka kushtuar shumicën e fjalën së sotme buxhetit të shtetit për vitin 2012. Kreu i qeverisë tha se buxheti i vitit 2012, pavarësisht krizës globale do të mund të mbështesë axhendën politike, objektivat madhore të qeverisë.
“Ky buxhet, është më i madhi që qeveria shqiptare ka paraqitur në Kuvend dhe që është votuar ndonjëher”, u tha Berisha deputeteve,

Sipas kreut të qeverisë, tre kushtet kryesore të buxhetit të ri do të jenë: Kontrolli i borxhit, deficiti buxhetor ndër më të ultit në hapësirën e BE-së dhe kontrolli i inflacionit.
“Jemi të gjithë dakord që skeleti makroekonomik duhet të respektohet më çdo kusht. Pra, ruajta e treguesve makroekonomikë në nivele të shpallura nga qeveria e të pranuara si të shëndetshme, përbën përparësi madhore për ne.
Në gjetëm një borxh 72% të GDP-së e kur kreditë përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Por, në sajë të reforma ekonomike, ia kemi dalë të ulim borxhin nën 60% e të mbajmë deficitin buxhetor me standarde të kontrollojmë inflacionin. Ia dolëm, të dyfishojmë rrogat dhe pensionet e ulta”, tha Berisha.

Kryeministri tha se, edhe në 2012-tën, Shqipëria do të listohet në të paktat vende që do rrisin rrogat dhe pensionet, ndërsa garantoi se nuk do të ketë rritje taksash.

Akuzat për programin e PS dhe Ramën, Berisha: Kurbani i UFO-s nuk pranohet
Buxheti i vitit 2012, theksoi sot Berisha, do të jetë përfitim dhe për fermerët. Kreu i qeveria garantoi se fermerët shqiptarë do mund të konkurrojnë me ata të vendeve të BE. Po kështu, Berisha ironizoi studimet e socialistëve në programin për heqje taksash.
“Të thuash që do heq taksën e miellit, por do prek bukën e grurin dhe pastaj thua jo nuk do heq të miellit por të bukës, ke gënjyer tre herë. Por, mjerë ata që tentojnë të gënjejnë shqiptarët. Ata do t’ua presin vetë faturën”, deklaroi Berisha duke iu referuar edhe programit të ri ekonomik të prezantuar nga kryesocialisti Edi Rama.
I ndalur tek Kongresi i PS që nisi punimet të shtunën, kryeministri cilësoi Kongresin si një autobus që ndjek vetëm një rrugë, ndërsa programin, një Kurban që nuk u pranua. “Autobusi i Kongresit ecën para, drejt etërve të tyre, vetëm në atë rrugë. E cilesoi Topalli, Kurban-Kongres, por në doktrinë kurbanin duhet ta pranojë i Gjithëfuqishmi, dhe kurbani quhet kur pranohet. Por, kur nuk pranohet shkon kot. Atij nuk ju pranua, UFO-t nuk kanë shanse të pranohen. Z. UFO nuk pranohet, tentativa e tij dështoi”, tha Berisha ne mbledhjen e sotme te grupit te PD.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Rama-Topallit: Doje ‘Kurban Kongres’, por s’të doli, librin blije të enjten

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›