E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Priten kushte të reja për integrimin në BE

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me ekspertë të fushës dhe përfaqësues të departamenteve të PD-së, zhvilloi sot në Durrës një tryezë diskutimi mbi zhvillimet në Portin e Durrësit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe tek procesi i integrimit evropian, ku deklaroi se praktikat korruptive po dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, pritet që BE të vendosë kushte të reja për integrimin.

Sipas tij “ka mbi një muaj, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare kanë bërë gjer dje pesë takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë”.

Duke iu referuar raportit IBAR, Berisha tha se “ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar. Dhe as të ndërmjetëm nuk e kanë pranuar dhe janë bërë një grup i madh vendesh, të cilat kanë sjellë dje një breshëri të re kushtesh dhe kërkesash që do t’i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit”.

“Një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të Islandës dhe Norvegjisë, Shqipëria largohet me Edi Ramën me shpejtësi mbrapa nga horizonti”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha komentoi edhe takimet e kryeministrit Edi Rama për “Punët e Shqipërisë”, që sipas tij janë “punët e zeza” të qeverisë.

“Nuk takohet me qytetarët, por takohet me patronazhistët, një racë kriminelësh elektoralë. Drejtësia për ta nuk vonon dhe do të dënohen, ndëshkohen si kriminelë elektoralë në këtë vend”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›