Berisha: Programi i PS për heqjen e TVSH, politikë kokëposhtë – do tu kalbte prodhimet në fushë fermerëve
Kryeministri Berisha takim me fermerë e përpunues ulliri në Vlorë: Subvencionim për mbrojtjen e ullirit
“Politikë me kokë poshtë”. Kështu e cilësoi kryeministri Berisha programin e PS për një Rilindje kombëtare për heqjen e TVSH për prodhimet bujqësore. Ndërsa zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët në Vlorë, ku u njoh dhe me problematikën që i shqetëson ata rreth kultivimit të varietetit të ullirit. Berisha tha se një politikë e tillë do tu kalbte fermerëve prodhimet në fushë, ndërsa e vlerësoi pozitive nismën e qeverisë për heqje të TVSH për çdo makineri bujqësore. “Ne tani hoqëm TVSH për çdo mjet dhe makineri bujqësore, për çdo input bujqësor përveç atyre që dëmtojnë prodhimin e vendit. Ju i keni dëgjuar ata, do heqim TVSH për prodhimet bujqësore. Por po e bëre atë do tua kalbësh në fushë prodhimin fermerëve, se ne këtë tokë kemi. Pra hap një konkurrim të pandershëm. Kurse ne heqim TVSH për çdo gjë që u nevojitet për makineritë që ju duhen, por jo për prodhimin, kjo është politika e tyre kokëposhtë si ajo e taksës progresive”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë ka premtuar më tej se për katër vitet e ardhshme do të mbështesë dhe nxisë më tej kultivimin e këtij varieteti, ndërsa shtoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtohet dhe formimit profesional për sektorin e bujqësisë dhe atij të blegtorisë. “Formimi profesional në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë është çështje themelore. Sot e vërteta është se biznesi po shkon duke u shtrirë me shpejtësi në Shqipërinë rurale, por mendja e zyrtarëve akoma se ka realizuar këtë si duhet. Me shumë të drejtë theksuat çështjen e trajnimit, e kam ngritur këtë çështje si domosdoshmëri jetike. Fondet që ne përcaktojmë për formimin profesional duhet të ndahen proporcionalisht mes Shqipërisë urbane dhe rurale. Do bëjmë gjithçka për të rritur shkollimin dhe profesionalizimin e fermerëve tanë, s’mund të ketë të njëjtën kosto ulliri në zonën fushore me atë kodrinore. Ministria duhet të përcaktojë kofiçentë të ndryshëm në të gjithë trajtimin. Ka një gjë, e nisëm fillimisht me vreshtat, mollën dhe ullirin por skemën dhe financimin do ta shtrijmë në gjerësi. Ne mbështesim prodhimin e qumështit, por jo atë të mishit çfarë duhet ta shohim hollësisht”- tha ai.
Kryeministri më tej garantoi fermerët se qeveria do të bëjë gjithçka për të luftuar informalitetin si dhe për zhvillimin e një sistemi vaditës ndër më modernit.
“Qeveria ka vendosur të ndërmarrë një projekt kombëtar në të cilin të shumëfishojë rrënjët e ullirit në të gjithë territorin e vendit ku kjo pemë madhështore, mbret i drurëve frutorë, të shumëfishohet në Shqipëri. Do të vazhdojmë të subvencionojmë fermerët për fidanët e ullirit, do të mundësojmë një sistem vaditës ndër më modernit”- përfundoi Berisha.
...