PD: Rama manipulator i ngjarjeve të 21 janarit
Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se po manipulon ngjarjet e 21 janarit. Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi deklaroi se, ai (Edi Rama) pasi dështoi në marrjen e pushtetit me dhunë, dështoi totalisht dhe në manipulimin e neveritshëm të tij. Sipas saj, ai e nisi me manipulim, duke i përdorur dhe mashtruar njerëzit se do merrte pushtetin me dhunë, pastaj organizoi kortezhe mortore për përfitime politike. “Dy ditët e fundit, Edi Rama e dëshmoi fare qartë me sqarimin e detyruar që nxitoi të bëj për 21 Janarin, se puçi i dështuar i 21 Janarit nuk është për të një çështje drejtësie, parimi, apo morali por është vetëm një çështje politike, pjesë e strategjisë së tij. Ai provoi dhe njëherë, se pasi dështoi në marrjen e pushtetit me dhunë, dështoi totalisht dhe në manipulimin e neveritshëm të tij. Faktoi se shamia në surrat nga familjarët e viktimave nuk do ti shqitet ndonjëherë atij, gjersa drejtësia shqiptare të thotë fjalën e saj për të si një organizator të dhunës për pushtet në të cilën humbën jetën katër viktima të sjella prej tij për të përmbysur qeverinë me dhunë. Me deklaratën e tij të djeshme ai i faktoi haptas shqiptareve se i vetmi manipulator i kësaj ngjarje fatkeqe, është Edi Rama.
Ai e nisi me manipulim, duke i përdorur dhe mashtruar njerëzit se do merrte pushtetin me dhunë, pastaj organizoi kortezhe mortore për përfitime politik! Manipuloi më pas me dhimbjen e familjarëve duke e përdorur si pjesë të strategjisë së tij elektorale. Përdori mediat e tij! Manipuloi sa mundi dhe kë mundi! Dhe sot, ankohet se po manipulohet me emocionet e 21 Janarit. I gjithë reagimi, që akuzon Ramën për këtë lojë politike, gjendet në median e tij, në Facebook-un e tij, në Tëitter-in e tij. Pjesa dërrmuese e atyre që ndjejnë sëkëlldi ndaj lojës politike të z.Rama, janë socialistë. Edhe familjarët e viktimave, janë pjesë e këtij reagimi. Kush i manipulon socialistët? Kush e manipulon faqen e Facebook-ut të Edi Ramës? Ka vetëm një manipulues dhe një fabrikë manipulimi. Është Edi Rama dhe dhoma e tij mavi e ndenjes”- u shpreh zëdhënësja e PD.
Ajo deklaroi gjithashtu se Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga përpjekjet për manipulim të z.Rama, dhe të ushtrojë në mënyrë të pavarur pushtetin e saj për të dhënë drejtësi mbi organizatorët, sponsorizuesit dhe autorët e dhunës së 21 Janarit që kishte si qëllim marrjen e dhunshme të pushtetit nga Edi Rama dhe neobllokmenët e tij!