E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protesta e opozitës shënoi një fitore të re të kryengritjes sonë paqësore

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me zhvillimet që kanë ndodhur javën që lamë pas në vend.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha përshëndeti qytetarët që morën pjesë dje në protestën e opozitës.

“Me marshin e tyre epik shënuan një fitore të re të kryengritjes sonë paqësore drejt përmbysjes së regjimit diktatorial të Edi Ramës”, tha Berisha.

Duk u ndalur tek zhvillimet e javës, Berisha tha se “Shqipëria javën që kaloi ishte e tëra në bankën e akuzës për shkak të Edi Ramës, mbrojtjes që ai u bën vjedhjeve të tij dhe të rrethit të tij, për shkak të sulmeve të egra, kërcënimeve të mëdha që i bëri sistemit të akuzës”.

“Në ekspozenë e tij, ai fshehu denoncimin që iu bë Shqipërisë në Bruksel, qoftë në Parlamentin Europian, qoftë në raportin e miratuar nga zyrtarët e lartë të Komisionit Europian. Po kështu, ai mashtroi për shembjen e rrugës, aksit kombëtar Dragostunjë-Përrenjas, e cila është totalisht e shkaktuar nga dora e njeriut, nga lejet e tij të dhëna për të rrënuar shtratin e Shkumbinit në kundërshtim të çdo lloj kondicioni”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama nuk dha asnjë shpresë dhe asnjë datë se, kur do të rivendoset komunikimi normal i juglindjes së vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë.

“Porsa i përket solidaritetit që shprehu me Emiratet e Bashkuara Arabe, solidariteti ynë shkon me të gjitha vendet e Gjirit Persik. Arabinë Saudite, Katarin, Bahrein, Kuvajtin, Emiratet për shkak të këtij agresioni barbar të Iranit ndaj tyre”, tha Berisha.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›