E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pse isha në shtëpinë e Metës

Berisha dje gjatë takimit me gazetarët

Takohemi çdo 3-4 ditë si partnerë koalicioni, më ftoi për darkë

Kryeministri ka komentuar dje vizitën e tij të pazakontë në vilën e kreut të LSI në zonën e ish-Bllokut.

Kryeministri Sali Berisha priti dje në Pallatin e Brigadave përfaqësues të mediave për ti vlerësuar për kontributin e dhënë gjatë vitit të kaluar. Në përfundim të fjalës së rastit, kreu i qeverisë është ndalur në një bisedë informale me gazetarët, ku nuk i ka shpëtuar dot interesimit të tyre për darkën e pazakontë të një nate më parë, kur ai u filmua të dilte nga shtëpia e ish zv.kryeministrit Ilir Meta në zonën e ish- Bllokut. I pyetur nga gazeta Panorama për takimin me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryeministri Berisha u përgjigj: Unë takohem rregullisht me zotin Meta një herë në tri- katër ditë, si

Berisha, duke dalë nga shtëpia e Ilir Metës

partneri kryesor i koalicionit. Mbrëmë kisha një ftesë për darkë dhe nuk mund ta refuzoja. Mund tu them se darka ishte e shkëlqyer. Lidhur me menynë e darkës, nëse ajo ishte vetëm ushqimore apo edhe politike, kreu i qeverisë nuk mohoi se në këtë darkë ishte folur edhe për politikë. Ushqimi ishte i shkëlqyer, por vera ishte akoma më e mirë, u shpreh Kryeministri. Të enjten në darkë ai u filmua nga kamerat të dilte nga shtëpia e ish-zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm rreth orës 22:35, pas një vizite prej rreth dy orësh. Pasi doli nga shtëpia e Metës, Berisha nuk bëri asnjë koment për mediat, por vetëm përshëndeti gazetarët që ndodheshin aty.
Reagimi i Ramës
Pas komunikimit të Kryeministrit me gazetarët, ka reaguar dje edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në fjalën e mbajtur para Grupit Parlamentar, lideri i opozitës tha se Kryeministri ka goditur Prokurorinë, duke e akuzuar atë për mashtrim. Në daljen e parë publike në intervistë, Kryeministri i vendit ka dëshmuar hapur egërsinë e pushtetit ekzekutiv ndaj Drejtësisë, mu në vigjiljen e seancës gjyqësore që do të japë vendimin për ish- zëvendësin dhe aleatin e tij, pas një skandali korrupsioni turpërues për Shqipërinë, për shtetin shqiptar dhe për çdo shqiptar pa dallim. Ai ka goditur më një gjuhë mafioze Prokurorinë, duke e akuzuar për mashtrim të Parlamentit dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes, duke dhënë provën e radhës të kontrollit absolut mbi pushtetin e korruptuar gjyqësor, tha Rama. Sipas tij, pas 100 vjetësh pavarësi dhe dy dekadash liri, Shqipëria ska asnjë lloj barazie para ligjit dhe gjykatat e saj janë bërë varrmihëset e drejtësisë dhe ushqyeset e kulturës së pandëshkueshmërisë. 100-vjetori e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqin fatal mes rrugës qorre të një diktature bjelloruse të faktit të kryer dhe rrugës së Shqipërisë si gjithë Europa.

Pritja për drejtuesit e mediave
Kryeministri: Shpifjen do ta dekriminalizojmë

Në pritjen e përvitshme me gazetarët, Kryeministri i vlerësoi mediat, pasi sipas tij, kanë nxjerrë Shqipërinë nga censura. Roli juaj si kalorës të fjalës së lirë, roli i mediave në këtë vend, që, me gjithë vështirësitë që njohin, kanë nxjerrë Shqipërinë nga censura, -uroj një herë e përgjithmonë – është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Duke ju garantuar se do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që fjala juaj, me peshën e saj e në interesin publik, të dëgjohet gjithnjë e më shumë nga autoritetet e këtij vendi, do të bëjmë gjithçka që liria e fjalës të mund të konsolidohet si liri e pacenueshme në këtë vend, tha kreu i qeverisë. Sipas tij, do të bëhen përpjekje, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes, si një akt e vendosmëri e politikanëve shqiptarë, për të zgjeruar më tej jo hapësirën e shpifjes, në asnjë mënyrë nuk është qëllimi aty, por hapësirën e fjalës së lirë e të mendimit të lirë dhe për të mos përdorur më askush manipulime, të cilat, në fund të fundit, sjellin cenimin e saj.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›