Shqipëri-Kosovë, pakt për konsullata të përbashkëta

Ministri i Jashtëm, Haxhinasto dhe homologu kosovar, Enver Hoxhaj
Dy ministrat e Jashtëm të Tiranës e Prishtinës firmosin marrëveshjen.
Haxhinasto: Shërbimi ynë konsullor, në funksion të Kosovës.
Shqipëria dhe Kosova shkrijnë shërbimet konsullore me njëra-tjetrën. Ministrat e jashtëm të dy vendeve, Edmond Haxhinasto dhe Enver Hoxhaj, kanë nënshkruar dje një marrëveshje, sipas së cilës, në të gjitha shtetet, ku njëri prej këtyre dy vendeve nuk ka shërbim konsullor, përfaqësimin do ta marrë përsipër vendi tjetër. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme shqiptare thuhet se marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor synon të intesifikojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në mbrojtje të interesave të shtetasve të tyre. Bashkëpunimi do të shtrihet në ato vende ku njëra prej palëve nuk ka përfaqësi konsullore, përfaqësia e palës tjetër do të marrë përsipër përfaqësimin konsullor. Ky parim i përfaqësimit reciprok mbështetet në praktikën e së drejtës ndërkombëtare të pasqyruar në nenin 8 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet konsullore. Ndërkohë, në një konferencë të përbashkët për shtyp zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, tha se kjo është një nga 75 marrëveshjet që dy vendet kanë nënshkruar pas pavarësisë së Kosovës. Sapo kemi nënshkruar një marrëveshje e cila sigurisht është një nga 75 marrëveshjet që kemi nënshkruar pas pavarësimit të Kosovës, që është një proces që do të vazhdojë edhe më shumë në të ardhmen, me shpejtësi edhe më të madhe. Marrëveshja e sotme kishte të bënte më vendosjen e shërbimit konsullor të Republikës së Shqipërisë në funksion të shërbimeve konsullore edhe për Republikën e Kosovës, një model i cili po bëhet me shumë shtete të botës. Do ta përdorim edhe ne me sukses, me qëllim që tu shkojmë sa më pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, sigurisht në ato vende ku Kosova ka përfaqësitë e saj diplomatike, u shpreh Haxhinasto. Lidhur me aksionin e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e pikave doganore me Serbinë, kreu i diplomacisë shqiptare tha se Tirana nuk i mbështet këto veprime. Sipas Haxhinastos, qeveria mbështet integrimin e Kosovës në nismat rajonale. Ndërsa kreu i diplomacisë kosovare theksoi se gjatë vitit të kaluar kemi pasur koordinim pothuajse ditor, javor për të gjitha çështjet e natyrës politike. Kjo do të ndodhë edhe gjatë këtij viti. Marrëveshja që nënshkruam është kyçe për bashkëpunim në fushën konsullore, një marrëveshje të tillë ne do ta nënshkruajmë si Republikë e Kosovës edhe me vende të tjera të rajonit dhe që vendi i shtetit të Kosovës është në rajon dhe bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia është shumë kyç për Republikën e Kosovës. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është njohur edhe nga të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Republikës së Serbisë, ndaj edhe çështja e përfaqësimit rajonal dhe ndërkombëtar është një çështje, e cila pothuajse është e zgjidhur.
Topi dënon dhunën në Veri të Kosovës
Në takimin mes Presidentit Topi dhe ministrit të Jashtëm kosovar u diskutua edhe për situatën e krijuar në Veri të Kosovës. Presidenti Topi vuri në dukje faktin se shteti shqiptar ka dënuar ashpër dhunën e strukturave paralele serbe në Veri të Kosovës, duke kërkuar dhënien fund menjëherë e përfundimisht mbështetjes dhe financimit të këtyre strukturave që cenojnë stabilitetin dhe paqen në rajon. Ne mbështesim bisedimet Kosovë-Serbi për çështje teknike dhe praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, nënvizoi Presidenti gjatë këtij takimi.
Ministri kosovar takon edhe Ramën në Tiranë
Berisha: Jo barriera me Kosovën
Gjatë qëndrimit njëditor në vendin tonë, ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, u takua me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, kreu i ekzekutivit tha se dy vendet do të eliminojnë barrierat burokratike mes tyre. Në takim u pohua vendosmëria e të dy qeverive për të eliminuar çdo pengesë burokratike, në mënyrë që qytetarëve të të dy vendeve tu mundësohet intensifikimi më i lartë i lidhjeve e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, të biznesit, kulturore etj., në shërbim të interesit më të mirë e prosperitetit të tyre, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit të miqësisë në mbarë rajonin, thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërsa Hoxhaj vlerësoi rolin e Tiranës zyrtare për njohjen e shtetit të ri kosovar. Gjatë drekës, Hoxhaj u takua edhe me kreun e PS-së, Edi Rama. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të selisë rozë, gjatë takimit, kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu vullnetin maksimal për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve, si dhe nënvizoi mbështetjen për të gjitha nismat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës. Kryetari Rama e siguroi ministrin e Jashtëm të Kosovës për një angazhim dhe përpjekje intensive për përshpejtimin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.
ADI SHKEMBI
