Berisha: Pse nuk i hapëm portat në dhjetor

Berisha hedh poshtë akuzat për grumbullim të ujit: U dhamë kohë banorëve të evakuohen
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar mbrëmë në seancën e “jashtëzakonshme” të Kuvendit se portat e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit nuk janë hapur më para për të përgatitur evakuimin e banorëve dhe për të shmangur viktimat njerëzore, siç dhe ndodhi. Në fjalimin që ka mbajtur në Parlament Berisha, i ka cilësuar shpifje akuzat e opozitës, por ndryshe nga herët e tjera nuk është marrë gjatë me PS-në. Kryeministri, situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër e cilësoi edhe njëherë si fatkeqësi natyrore.
Kreu i qeverisë theksoi në fjalën e tij se përmbytjet u shkaktuan nga fenomenet e rralla dhe të pazakonta që përfshinë vendin në fundin e dhjetorit dhe në fillim të janarit. “Të gjitha spekulimet që bëhen për sa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH e shiste atë në tetor, në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa më të mundshme të përmbytjeve”, theksoi Berisha përpara deputetëve të mazhorancës të pranishëm në sallën e Kuvendit. Berisha u shpreh se kjo fatkeqësi natyrore ndodhi në një kohë të shkurtër dhe po në një hark kohor të shkurtër u morën masa për të përballuar situatën.
"Shkodra me rrethinat e saj përbën një rast të veçantë për mua, qeverinë dhe deputetët. Të nderuar deputetë, ditët e fundit të dhjetorit dhe java e parë e janarit u karakterizuan nga fenomene natyrore të rralla, të rënda dhe të pazakonta, në njërën anë, reshjet e mëdha të cilat përfshinë të gjithë Verilindjen e Shqipërisë, nga ana tjetër një rritje, një dalje e paparë e detit dhe vërshimi i tij në zonat bregdetare të Kurbinit dhe Shkodrës shoqëruar këto të gjitha me një rrymë afrikane ajri që ngriti temperaturat në Shqipërinë e Mesme në 24 gradë bënë që lumenjtë të vërshonin me tërbim drejt liqenit, drejt Shkodrës dhe rrethinave të saj në një hark kohor të shkurtër”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij. Kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe rolin e mediave si më pozitivin të mbajtur ndonjëherë, duke thënë se kanë qenë pranë zonave të përmbytura për të përcjellë lajmin më të fundit për publikun e gjerë në çdo kohë. Berisha shtoi se sipërmarrja energjetike e vendit ka zbatuar pikë për pikë rregulloren, ndërsa nënvizoi se në asnjë moment nuk ka ekzistuar rreziku për çarjen e digave në hidrocentrale.
“Qyteti kurrë nuk kishte asnjë kërcënim nga digat. Digat janë një mbrojtje ndaj vërshimeve të Drinit”, u shpreh Kryeministri. Berisha theksoi se gjatë gjithë ditëve të vështira, objektivi kryesor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve, objektiv që u arrit plotësisht. “Objektivi madhor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve. Janë evakuuar mbi 5000 qytetarë, operacioni i shpëtimit ishte i suksesshëm. Një solidaritet i madh shpërtheu brenda dhe jashtë vendit, sot nuk ka qytet që të mos ketë nisur miliona lekë ndihma monetare dhe materiale për zonën e përmbytur”, tha Berisha. Në mbyllje të fjalës së tij kreu i mazhorancës shprehu mirënjohje për të gjithë ata që punuan me përkushtim në ndihmë të të prekurve nga kjo fatkeqësi, ndërsa i garantoi qytetarët e Shkodrës për dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara. “Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës dhe Nënshkodrës se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull të ri mundësish dhe projektesh në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet çdolloj përmbytje me kostot më minimale”, tha Berisha.
#