E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet atentatori i Papës, Agxha

Turku deklaron se shumë shpejt do t’u përgjigjet pyetjeve të mbetura pa përgjigje

Mehmet Ali Agxha, turku që tentoi të vriste Papën Gjon Pal II në vitin 1981 ka deklaruar dje ndërsa ka dalë nga burgu se bota do të marrë fund këtë shekull. Ai madje e ka shpallur veten si Mesia i dytë. Kjo është një deklaratë mjaft e çuditshme që ai e ka bërë me daljen nga burgu i sigurisë së lartë në Ankara. ”Unë shpall se bota do të shkatërrohet brenda këtij shekulli dhe çdo qenie njerëzore do të vdesë”, ka deklaruar Agxha. ”Bibla është plot me gabime dhe jam unë njeriu që do të shkruaj Biblën e duhur”, ka vazhduar deklaratat e tij të çuditshme ish i burgosuri. 52-vjeçari turk e quan tashmë veten “Krishti i përjetshëm”. Ndërsa ka lënë burgun ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës pas dënimit që mori për shkak të atentatit ndaj Atit të Shenjtë ai është dërguar në një spital ushtarak për të marrë vlerësimet në lidhje me aftësinë e kryerjes së shërbimit ushtarak që është i detyrueshëm në Turqi. Në vitin 2006, spitali e diagnostikoi Agxhan të paaftë mendësisht për të kryer një shërbim të tij për shkak të lëkundjeve të personalitetit. Në të shkuarën ai ka bërë edhe akte të tjera çmendurie si vullnetarizmi për të shkuar në Afganistan për të vrarë Osama Bin Ladenin, liderin e Al-Kaedës apo oferta që i ka bërë për bashkëpunim shkrimtarit Dan Braun. Papa ndaj të cilit ai kreu atentatin, Gjon Pal II e ka vizituar në burg Agxhan 2 vjet pas atentatit, pra në vitin 1983 dhe e fali për aktin e ndërmarrë kundër tij, që në fakt i shkaktoi dëme Atit të Shenjtë duke e lënë të dëmtuar për një kohë të gjatë. Agxha e qëlloi Papën më 13 maj të vitit 1981, ndërsa ai po ecte në një makinë të hapur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Papa u godit në stomak dhe në të dy krahët, por plumbat nuk arritën që t’i dëmtojnë organet jetike. Shkaku i këtij atentati ka mbetur vazhdimisht i paqartë dhe nuk është lidhur në asnjë rast as me pikëpamje fetare, as politike. Pas arrestimit, Agxha ngulmoi që kishte vepruar vetëm, por më vonë doli në pah se pas sulmit ndodheshin edhe shërbimet sekrete të Bullgarisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ai i hodhi poshtë këto akuza duke deklaruar se sulmi ishte pjesë e një plani hyjnor  që i kishte dhënë Zoti në pozicionin e Mesias së Dytë. Në kujtimet e tij, Papa Gjon Pal II  ka shkruar se atentati ishte i planifikuar dhe i komisionuar. Vetë turku ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve pas lirimit të tij dhe një udhëtimi në Stamboll. ”Ne nuk po i shmangemi medias dhe Agxha do të flasë pas disa ditësh”, ka deklaruar avokati i turkut. Vetë Agxha thuhet se ka filluar të shkruajë një libër mbi të cilin do të bëhet edhe një film, si dhe të ofrojë bashkëpunim për një sërë dokumentarësh në lidhje me ngjarjen. Ai bëri 19 vjet burg në një burg italian dhe më pas edhe 10 vjet të tjerë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›