Familjet rome mes përmbytjes dhe diskriminimit
Ata janë strehuar në një repart ushtarak plot lagështirë dhe të ftohtë, ndryshe nga të evakuarit e tjerë
Të strehuarit nga përmbytja, pavarësisht hallit të përbashkët, nuk janë trajtuar njëlloj. Ndryshe janë sistemuar romët dhe në kushte krejt të tjera të përmbyturit e tjerë. Për 30 familje rome të evakuara janë “rezervuar” ambientet e repartit ushtarak në fshatin Renc të Shkodrës. Të mësuar të qëndrojnë në çadra, edhe në këtë rast romët janë përpjekur të mbijetojnë mes kushteve tejet të vështira. Ata kanë modifikuar gjithçka, duke nisur nga zjarri që kanë ndezur jashtë dhe kuajt e mbështjellë me plastmas e batanije, për t’i ruajtur nga të ftohtit. Në ambientet e brendshme, kushtet nuk duken aspak normale, pasi pjesa më e madhe e dritareve janë pa xhama dhe në mure ka lagështirë gjithandej.
Njëra prej të evakuarave tregon rrugëtimin e saj të vështirë nga qyteti i lindjes deri te ky repart ushtarak, që ngjan edhe më i ftohtë në këtë stinë dimërore. Zymrie Mustafa ka lindur në Peqin në vitin 1965. Ende e mitur, në moshën 12-vjeçare, prindërit e martuan në Tiranë me Ramadanin. Ka jetuar në një shtëpi të thjeshtë në Tiranë, por në 1997-n, thotë ajo, burri e la tek firmat piramidale. “Mbetëm pa shtëpi e u sollëm për një vit në rrugët e Tiranës. Burri aty u sëmur nga mendja e kokës. Pastaj erdha te këta njerëzit tanë, këtu te romët në Shkodër. Kemi jetuar me halle”, shton më tej Zymria. Ajo ka 7 fëmijë, më i madhi 32 vjeç, më i vogli 13 vjeç. Jetojnë të gjithë me shumë halle e telashe, duke mbledhur hekura e duke lypur.
“Natën që u përmbytëm, erdhi policia na nxori jashtë me forcë, sepse ne të gjithë donim të rrinim brenda e të vdisnim aty, sepse e gjithë jeta jonë tek ato çadra është, kujton Zymria. Por, shpejt ajo shton se tani falënderojmë policinë që na nxori jashtë, se po të kishim qëndruar do ishim mbytur, pasi uji aty ka shkuar gati dy metra. Shprehet e shqetësuar se gjithçka ka pasur brenda ia ka marrë uji, me televizor, me frigorifer dhe pajën e vajzës, të cilën e marton më 5 maj. “Kam punuar duke lypur një vit për të bërë atë pajë e të gjithën ma mori uji. Besoj do na japin lekët e dëmeve ndryshe më mirë të mbytemi”, thotë gruaja, duke ngjeshur duart fort pas belit, sikur kërkon të mbahet diku.
Ajo e kupton fort mirë se i kanë sjellë në këtë repart ushtarak se janë romë. “Ndërsa të bardhët i vendosën në hotele luksoze”, thotë ajo me qesëndi, por duket se nuk e merr shumë ters këtë punë. “Nuk ka ndonjë gjë, thotë, se neve nuk dimë të rrimë në ato hotele, më mirë jemi këtu kështu rrëmujë. Për t’u ushqyer, në fillim na sollën vetëm makarona, por tani është rregulluar mirë ushqimi”.I strehuar në këtë repart ushtarak qëndron edhe dhëndri i Zymries. E mbetur pa asgjë, ajo ka gjetur një zgjidhje të thjeshtë, ta kryejë pikërisht aty ku ndodhet në kufirin më të skajshëm të skamjes, dasmën e së bijës. “I kam thënë dhëndrit, ja ku e ke nusen merre”, tregon ajo duke mos e fshehur dot hallin për çiftin.
E lëmë pas repartin ushtarak për t’u nisur drejt “hoteleve luksoze të të bardhëve”. Një tjetër situatë shikon aty. Në hotelin “Rozafa” janë vendosur kryesisht banorë të lagjeve periferike të qytetit të Shkodrës dhe një pjesë nga zona e Dajçit. Dhomat janë të ngrohta dhe të mobiluara mirë, krejt ndryshe nga reparti ushtarak i romëve.
Por edhe aty ka hallexhinj. Një nga të evakuarit, Xhafer Ymeri, 65 vjeç, me tre fëmijë, tregon se ka kaluar një jetë të vështirë gjatë sistemit komunist, kur punonte në kooperativë. “Ajo kohë na ka lodhur shumë, dukem si 80 vjeç”, thotë ai. Ndërsa, pohon se fshati i lindjes Samrish është një tokë pjellore, por gjihtnjë ka pasur probleme me përmbytjet, megjithëse asnjëherë si këtë radhë. “Nuk na e mori mendja se do të bëhej kështu. Uji na ka mbuluar shtëpinë dhe nuk e di se çështë bërë me bagëtitë e mia, shton ai. Ndërsa mbetet vetëm me shpresën e kompensimeve nga ana e qeverisë.
#