E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qytetarët amerikanë zgjodhën vazhdimin e ndryshimit me Presidentin Obama

08-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje rizgjedhjen e Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama. Duke e cilësuar një rizgjedhje plotësisht të merituar për vazhdimin e ndryshimit me Presidentin Obama, Berisha tha se nën udhëheqjen e mençur e të vendosur të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, paqja dhe stabiliteti botëror njohu dimensione të reja. Sipas Berishës, vendet problematike dhe vatrat e konfliktit si Iraku dhe Afganistani janë në rrugën e stabilitetit; ndërsa bota është gjithashtu më e sigurt pa kryeterroristin Bin Laden. Gjithashtu, kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë për bashkëpunim me aleatin dhe mikun më të madh të shqiptarëve

 “Qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri”.
Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë, duke vlerësuar rizgjedhjen e Barack Obamës, President të SHBA-ve. Sikundër u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, rizgjedhja e Presidentit Obama është plotësisht e merituar, pasi z. Obama udhëhoqi Shtetet e Bashkuara dhe botën në kohën më të vështirë të tyre, pas Luftës së Dytë Botërore, duke përballuar me sukses krizën më të thellë në histori, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kryeministri Berisha theksoi se përballimi me sukses i këtyre vështirësive, e shndërroi Presidentin Obama në udhëheqës e shpresë për botën. “Kryefjala e mbledhjes së qeverisë është urimi më i përzemërt për Presidentin Barack Obama, me rastin e rizgjedhjes së tij në postim më të rëndësishëm të rruzullit tokësor, postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte një rizgjedhje plotësisht e merituar. Presidenti Barack Obama udhëhoqi Shtetet e Bashkuara dhe botën në kohën më të vështirë të tyre, pas Luftës së Dytë Botërore. Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara përballuan me sukses krizën më të thellë në histori, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar dhe u shndërrua në një faktor udhëheqës e shprese në kapërcimin me sukses të kësaj krize në botë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Suksesi i Presidentit Obama, tha Berisha, është edhe në aspektin e gjeopolitikës, aty ku paqja dhe stabiliteti njohu dimensione të reja.
Sipas Berishës, vende të cilat dikur ishin vatra konflikti dhe cenonin paqen globale si Iraku dhe Afganistani, sot janë në rrugën e stabilitetit. Gjithashtu, neutralizimi i celulave terroriste ishte një tjetër sfidë e Presidentit Obama për garantimin e paqes në botë. Sot, bota është më e sigurt pa kryeterroristin Bin Laden.
“Nën udhëheqjen e mençur e të vendosur të Presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, në mënyrë të padiskutueshme, paqja e stabiliteti botëror njohu dimensione të reja. Iraku, sot, është një vend tjetër nga ai që ishte katër vjet më parë. Po kështu, Afganistani ka një perspektivë të qartë. Pranvera Arabe, edhe ajo është një sukses i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, në promovimin paqes, demokracisë e stabilitetit. Bota është më e sigurt pa kryeterroristin Bin Laden. E vërteta është se katër vitet e para të Presidentit Obama kanë qenë vitet e dialogut më intensiv ndërkombëtar, dialog që i ka shërbyer trajtimit të problemeve madhore të kohës, në interesin më të mirë të qytetarëve të planetit”, theksoi ai.
Duke analizuar suksesin e administratës së Presidentit Obama në mandatin e saj të parë, kryeministri Berisha speficikoi se votat e qytetarëve amerikanë shkuan për vizionin e Obamës në mandatin e ri. Duke hequr një paralele mes dy programeve të kandidatëve amerikanë, kryeministri tha se qytetarët i besuan vazhdimit të ndryshimit, duke refuzuar kështu premtimet në letër.
“Natyrisht, qytetarët e Shteteve të Bashkuara nuk e votuan presidentin e tyre për ato që ka bërë gjatë katër viteve. Zgjedhësit nuk të votojnë për ato që ke bërë, por të votojnë për vizionin që ofron në mandatin e ri. Por ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Midis ndryshimit të premtuar në letër dhe ndryshimit operativ, të gjatë, në çdo vend e skaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe në botë, qytetarët zgjodhën vazhdimin e ndryshimit me Presidentin Obama, si ndryshimi më i prekshëm, më i besueshëm dhe më i sigurt. Në zgjedhjen e tij, nuk mund të mohohet se një ndikim ka pasur edhe elektorati botëror, i cili në të gjitha sondazhet dilte se votonte për Presidentin Obama”, theksoi Berisha.
Nga mbledhja e Këshillit të Ministrave, Berisha shfrytëzoi rastin t’i përcjellë Presidentit Obama urimet dhe vendosmërinë e qeverisë për bashkëpunim me aleatin dhe mikun më të madh, strategjik të shqiptarëve, të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend mik dhe Obama i kanë dhënë Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›