Azilant në tokën tënde?
Veç në fillim të këtij shkrimi iu kërkoj falje lexuesve për tregimin në vazhdim, por gjithkush mundohet të shprehë diçka të cilën e dëshiron dhe aq sa dinë. Nuk po kemi ndonjë ndryshim thelbësor, përpos që secilën ditë po jetojmë më vështirë. Ata të cilët punojnë, natyrisht janë të interesuar të dëgjojnë për ndonjë rritje pagash, por në vend të kësaj, çdo ditë po dëgjojnë për rritje çmimesh, çmime që për standardin tonë të ulët janë bërë mbytëse. Ndërsa shumicën e popullatës që nuk po punojnë, vetëm shpresa e mban gjallë se edhe për ta një ditë do të rrezohet dielli. Jeta në Kosovë është bërë aq e vështirë sa nuk ke kohë të mendosh për asgjë veç si të mbetesh diqysh gjallë. Rrethanat e jetës dhe rrethanat historike kanë bërë që familjet e një barku, të jetojnë shumë afër njëra-tjetrës. Kjo na ka ndihmuar shumë si komb që t’u mbijetojmë trysnive të mëdha të pushtetit serbo-sllav për ta mbrojtur qenien kombëtare. Dhe jo vetëm kaq. Ndihma dhe përkrahja e ndërsjellë ka qenë shumë e madhe. Bie fjala, nëse dikush nga vëllazëria i ka pasur punët pisk materialisht, nuk e ka pasur dertin se mund të vdesë urie, e mos t’ia çelë dikush derën. Për gjerat edhe shumë të vogla marrja e vendimeve si në vëllazëri, por edhe me larg kanë qenë e përbashkët. Sot, kur jemi të lirë, pak gjë ka mbetur nga tradita e mirë që e kishim. Pak kush e ka dert për tjetrin se si i ka punët edhe pse janë të një gjaku e mos të flasim më larg. Me secilin që bisedon e pranon së e gjithë kjo ndarje dhe tjetërsim nuk është diçka e mirë. “Nuk ke çka me bo, u bo kjo punë tash, nuk po e bon dert kush për kënd”. Ky është refreni i cili po përsëritet me këdo të bisedosh. Sikur i kemi ngritur duart dhe jemi pajtuar me fatin se jeta është kështu qysh është dhe nuk bëhet ndryshe. Disa ia lënë fajin kohës, por shumica e ndajnë mendimin së koha është e njëjtë, por njerëzit kanë ndryshuar më shumë për të keq sesa për të mirë. Kishte qenë absurditet mendimi se pas dëbimit të forcave pushtuese serbe nga Kosova do të duhemi dhe do ta përkrahim njeri-tjetrin si kurrë më parë. Dhe, bie pyetja kush është sot më i mirë se tjetri? Kush është sot me human se tjetri? Virtytet për ta dashur njëri-tjetrin në momentet më të vështira gjithnjë e më shumë po shndërrohen në utopi. Dhe, kjo është keq sepse mund ta humbasim lehtë edhe ndjenjën për shtet dhe komb. Nëse nuk kemi pasur shtet tonin kurrë, tash e kemi, por dhe shumë pak jemi duke ia ditur vlerën! Shumica po ngarendin kah politika edhe nëse për këtë punë nuk e kanë takatin, duke e parë politikën si trampolinë për t’u pasuruar brenda natës. Thotë një fjalë e popullit se “zanati i keq ngjitet si zhuga”. Duke i shikuar njerëzit e pushtetit se si shumica po pasurohen në mënyrë të paligjshme dhe nuk po u mungon as një qime e flokut, është krijuar logjika e gabuar në kokat e shumëkujt, se i vetmi profesion qe ia vlen sot në Kosovë është inkuadrimi në politikë. Kjo logjikë miope sigurisht së nuk na dërgon askund, dhe është pengesë e madhe e shtetndërtimit. Është pengesë e madhe e zhvillimit ekonomik dhe në përgjithësi e prosperitetit të vendit. Gjithçka qe u privatizua ra në duart e atyre që janë të lidhur me politikën. Dhe të gjitha këto ndërmarrje të mëdha ose të vogla, po shiten e stërshiten për shuma dhjetëfish më të larta sesa janë blerë. Privatizimi i keq i la shumë punëtor në rrugë. Shumica e popullatës i kanë kontribuar në forma të ndryshme lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e jo vetëm një grup i caktuar njerëzish. Nëse dëshiron të avancohesh mundesh vetëm nëse je poltron, nëse je i lidhur ose i degjueshëm i hierarkisë më të lartë politike, dhe nëse vdesin shefat. E kjo nuk na duhet. Ka shumë njerëz të vyeshem dhe me tradita të ndritura familjare, të cilët për këtë vend kanë dhënë nerva dhe rininë e vet, dhe kanë mbetur në margjina, me ndonjë punë që vështirë jetohet, me ndonjë makinë të vjetër, e shumëkush ka mbetur krejt lakuriq. Dhe kjo është më shumë se tragjike për një vend me begati natyrore të mëdha sikur është Kosova. Por kështu e ka puna, kur jemi bërë azilantë në tokën tonë…