E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Qytetarëve do t’u kthejmë paratë, nuk do të ketë shqiptar me çerek pensioni

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediet tha sot se “Programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë”.

“Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnjë e më shumë”, tha Berisha.

Sipas tij, “minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 për qind, rritja e rrogës minimale me 20 për qind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv”.

Berisha premtoi se nuk do te këtë më shqiptarë me çerek pensioni

“Nuk mund të ketë shqiptarë me çerek pensioni, gjysmë pensioni apo dy të tretat pension. Do ketë shqiptarë me 200 euro. Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot, se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë. Kompensim për TVSH që paguajnë. Energjia do zbresë në 7 lekë. Nafta do zbresë në çmimet që ka Kosova”, u shpreh Berisha.

“Pra, – vijoi ai, – kjo paketë që e quajmë “paketa e dhembshurisë” dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët, se atyre u merren taksat dhe ne do t’ua kthejmë atyre.”

Më tej Berisha shtoi se “ky start nuk ndalet gjersa shqiptarët të dalin në krye të vendit për rrogat dhe pensionet. Ky është preokupimi ynë, ky është zotimi ynë. Prandaj ju patë atë takim aq të zjarrtë në pallatin e sportit në Shkodër. Qytetarëve do t’u kthejmë paratë. Do presim me gërshërë dorën që do guxojë të prekë paratë e tyre”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›