Berisha: Ndërhyrje në çdo ligj për t’i dhënë zgjidhjen më të ndershme çështjes së pronave

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Partia Demokratike është e vendosur t’i japë zgjidhjen përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave gjatë një mandati qeverisës.
Kështu deklaroi sot kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë paraqitjes së programit të zgjedhjeve të 11 majit të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për pronat.
“Specialistët, ekspertët më kanë njohur mua me shuma të mëdha, të cilat duhen për t’iu përgjigjur këtij problemi. Çdo shumë që duhet për t’iu përgjigjur këtij problemi, qeveria do ta përballojë”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se “zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës, është zgjidhja përfundimtare e çështjes së sistemit. Pa vendosur sistemin në bazën e tij pronësore, sistemi nuk gjen kurrë stabilitet”.
“Ndaj dhe unë i siguroj pronarët se do të ndërhyhet në çdo ligj, se do ndërmerret çdo vendim për t’i dhënë zgjidhjen më të ndershme me rregulla dhe kushtet e tregut, me kompensim fizik ose financiar, ose forma tjera të përzgjedhura nga pronarët, bashkëzhvillimit, etj., dhe kjo çështje nuk do ekzistojë, do marrë përgjigjen përfundimtare”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek programi i shpallur së fundmi për zhvillimin e pronave publike nëpërmjet partneriteteve dhe sipërmarrjes private dhe shtetit.
“Ligji dhe parimi themelor thotë se, në rast se një tokë publike do ndryshojë destinacionin, apo do tjetërsohet, automatikisht i kalon pronarit me të drejtë parablerje dhe pronësie të padiskutueshme. Këtu i janë dhënë institucione të tëra me Asllan Rusin, me Selman Stërmasin që janë të gjitha të ndërtuara mbi toka pronarësh dhe tani i marrin oligarkët, i marrin trafikantët, dhe kjo është njësoj si në ’46-tën”, tha Berisha. /k.s/j.p/