E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama do bëjë legalizimet? Ka marrë përsipër rolin e Nastradinit

SUKTH- Partia Demokratike zhvilloi sot pasdite një miting elektoral në Bashkinë e Sukthit, ku kryeministri Berisha premtoi rrugë të reja,ujësjellësa, shkolla të standardeve më të mira për këta banorë. Sipas Berishës vendimet e fundit të qeverisë autorizojnë dhënien e tapive për tokat kudo që ndodhen.

“Këto vite në Bashkinë e Sukthit janë nderuar dhjetëra e dhjetëra km rrugë, shumica dërrmuese e banorëve marrin ujë 24 orë, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. 4 vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët ne kemi financuar rreth 100 hektarë vreshta, drurë frutorë, sera do të trefishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vetë modern, terrene sportive, do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara. Dua të garantoj fermerët se vendimet e fundit të 3 muajve më parë autorizojnë qeveritë vendore të japë të gjitha tapitë për tokat kudo që ndodhen, do sjellim zyrën e hipotekës pranë cdo komune dhe bashkie të vendit. Po përfundojmë hartën dixhitale të tokës, për cdo shqiptar do marrin fund andrallat e mbivendosjeve”, tha Berisha.

Kryeministri sulmoi nga Sukthi taksën progresive, ndërsa vlerësoi taksën e sheshtë si më të drejtën.
“Shoku i autobusit mavi përpiqet dhe mendon t’ju mashtrojë juve, ju thotë se taksa progresive është më e ndershme sepse ajo taton më pak atë që merr më pak dhe më shumë atë që merr më shumë. Të dhjetat janë taksa më e ndershme sepse ai që merr 10 paguan 1, ai që merr 100 paguan 10 herë më shumë, ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë, kjo është e vërteta e kësaj takse. Ja pse të parët tanë në të gjitha kohërat kanë përdorur vetëm të dhjetat”, tha më tej Berisha.

Kryeministri më tej ka ironizuar deklaratat e kryesocialistit Rama se do udhëheqë vetë procesin e legalizimeve të banesave informate. Sipas Berishës, “Ai ka marrë përsipër rolin e Nastradinit në autobusin mavi. Të tjerëve iu thotë se edhe Enveri të lëvizë nga varri nuk do ju lëvizim, por a nuk që ti që në Rashbull ju the banorëve, toka nuk është e juaja shkoni nga keni ardhur”, shton Berisha.

“Në Delvinë u zotua se do heq taksën mbi makineritë, po shko tek doganat dhe mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për makineritë që hyjnë në Shqipëri. Në një vend tjetër ju thotë fermerëve se do heqë TVSH, ne kemi vendosur t’ju japim në dorë TVSH për cdo gjë që përdorni në fermat tuaja. Akcizën e naftës me para në dorë, ky është zotimi ynë dhe vendimet janë të miratuara në mënyrë përfundimtare”, vijoi kryeministri.

Më tej Berisha sulmoi edhe nismën e PS, për heqjen e TVSH-së për prodhimet bazë. Sipas tij kjo është platforma e shkatërrimit të prodhimeve vendase.

“Këto ditë ka shpallur përsëri platformën e shkatërrimit të prodhimeve tuaja, thotë do heq TVSH për grurin, qumështin, mishin e vezët. Kjo për ju do të thotë që mishi i Brazilit dhe Argjentinës të mos ju lejë ju të rrisni lopë, vica për mish se ai po hyn pa TVSH. Kjo do të thotë se nëse heqim TVSH për qumështin, fillojnë të vijnë kontenierët me qumësht pluhur e pa pluhur, ju mbillni grurë po ne nuk kemi shumë tokë, vendet me fusha të pafundme prodhojnë grurë më shumë, do e sjellin ata shumë më lirë e ju s’do mbillni dot më, kjo politikë bëhet për të krijuar monopolet socialiste të vezëve, mishit, miellit e qumështit. Në Shqipëri dhe botë nuk është ulur kurrë ndonjë cmim se u hiqet TVSH”, komentoi Berisha.

Ai ftoi më tej banorët: “Më 23 qershor votoni për veten, për punësimin, për rritjen e mirëqenies, për integrimin në BE, votoni për zhvillimin, të ardhmen, përpara me PD, votoni 44”.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha garanton banorët e Bushatit: Do merrni çdo qindarkë për përmbytjet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›