Aksident me dy të vdekur në Elbasan, njëri këshilltar i PS-së në bashki (FOTO)
Elbasan- Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Elbasanit ku për pasojë kanë humbur jetën dy persona.
Sipas policisë rajonale, viktima e parë i cili ndërroi jetë menjëherë quhet Dashamir Leka i cili mësohet se është tregtar i armëve të gjahut. Ai po drejtonte makinën tip Ford me targa AA 991 AF, kur është përplasur me një tjetër automjet tip Benz me targa AA 523 BA.
Në këtë automjet ndodhej shtetasi Arben Porocani, i cili ka ndërruar jetë pak orë pas aksidentit, në spitalin e Elbasanit.
Arben Poroçani është pedagog dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Elbasan. Aksidenti mendohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe apo një parakalimi të gabuar.
Pamje nga vendi i ngjarjes
Mjetet janë përplasur ballë për ballë me njëra-tjetrën dhe njëri prej tyre ka përfunduar në kanal. Ngjarja ndodhi në aksin Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Paulesh.
Pamje nga vendi i ngjarjes