Berisha: Rama do të marrë disfatën më të thellë më 2013
Berisha për paktin e Ramës: “Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do i japin më 2013-ën disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet...”
TIRANË Inaugurimi i përfundimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Gjinar – Elbasan, me gjatësi 21 kilometër, që ndihmon në lëvizjen e 15 mijë banorëve të komunave Shushicë dhe Gjinar, është shfrytëzuar dje nga kryeministri Sali Berisha për të përcjellë mesazhin se qeveria që ai drejton po i mban premtimet. Në këto kushte, ai ka shigjetuar politikën e ndjekur deri më tani nga kundërshtari i tij politik, Edi Rama, duke theksuar se ky i fundit do të marrë disfatën më të thellë në vitin 2013. Berisha është përqendruar ndër të tjera edhe në paktin prej 10 pikash të propozuar nga kryetari i opozitës, duke rikonfirmuar se mazhoranca do të marrë në shqyrtim vetëm dy prej tyre; reformën zgjedhore dhe ndryshimet në rregullore. “Vëllezër, imagjinoni ju se çfarë propozon. Reforma elektorale, mirë se të vish, urdhëro zoti Rama të ulemi, të punojmë me konsensus. Kemi 52 rekomandime, t’i adresojmë ato një nga një, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim rregulloren e Parlamentit Europian dhe në qoftë se rregullorja e këtij parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me rregulloren e tempullit të demokracisë europiane, urdhëro ta ndryshojmë, por ai nuk i do këto. Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do i japin më 2013-ën disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë; nuk do reformë të rregullores së Parlamentit, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë”,- tha Berisha. Për pasojë, Kryeministri shtoi se me bllokim Rama do të shkojë nga disfata në disfatë. “Je bërë i famshëm në Shqipëri dhe në Europë për disfatat e njëpasnjëshme që ke përjetuar, nga e para tek e fundit që ishte disfata personale. Në Tiranë qytetarët të ndëshkuan me 10 mijë e 907 vota më shumë për koalicionin e “Aleancës për qytetarin”. Duke parë veten në këto rrethana, përpiqet me çdo kusht se si të dëmtojë interesin personal të secilit prej jush, të çdo shqiptari. Ju garantoj se interesi juaj më i madh është ligji dhe zbatimi i tij dhe kjo qeveri do të qëndrojë fuqishëm në zbatimin e çdo ligji të vendit. Interesi juaj jetik dhe i çdo qytetari është Kushtetuta dhe zbatimi i saj. Ju garantoj se çdo qytetar në këtë vend, çdo zyrtar i këtij vendi do të qëndrojë nën ligjet e saj”, - tha ai. Kryeministri ka premtuar dje se brenda këtij mandati qeverisës do të përfundohet autostrada Tiranë - Elbasan, Boshti i Jugut dhe segmenti Berat - Elbasan, si dhe do të ndërtohen një seri rrugësh rurale nga Gramshi deri në Stërblevë dhe skajet e tjera të këtij qarku.