E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja detare me Greqinë, ngrihet komisioni i posaçëm

TIRANË Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarë lidhur me takimet që ai pati javën e fundit në SHBA, në kuadër të Asamblesë së OKB-së, në Nju-Jork dhe në Meksikë. Në fjalën e tij, ministri Haxhinasto vlerësoi se Shqipëria i arriti objektivat me praninë e saj në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Çështje e rëndësishme në të gjitha këto takime, - tha ministri Haxhinasto, - ishte Kosova, nxitja e njohjeve të reja për shtetin e ri”. Ministri informoi gjithashtu për çështjen palestineze, duke argumentuar qëndrimin e qeverisë shqiptare se mbështet ekzistencën e dy shteteve, që jetojnë në fqinjësi e paqe me njëri-tjetrin. Pas një pasqyre të përmbledhur të kësaj vizite, Haxhinasto i është përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve, lidhur me marrëveshjen detare me Greqinë. Haxhinasto tha se ka nisur ngritja e komisionit përkatës dhe po caktohet përbërja e tij, duke shtuar se ky proces do të respektojë deri në fund ligjet e shtetit dhe Kushtetutën e vendit. Ai theksoi se marrëdhëniet me Greqinë nuk funksionojnë në bazë të presioneve për çështje sovrane. Përsa i përket pyetjes për mosmarrjen e statusit kandidat, ministri Haxhinasto tha se raporti ende nuk ka dalë dhe nuk mund të flitet konkretisht për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›