E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e re, Paloka: Topi rikonfirmoi qëndrimin tonë për të

Qëndrimi i kreut të shtetit për krijimin e një force të re politike është pritur ftohtë nga zyrtarët e lartë të PD-së.

TIRANË Paralajmërimi, dy ditë më parë, i presidentit të Republikës, Bamir Topi, për krijimin e një partie të re nuk ka qenë e papritur për demokratët. Qëndrimi i kreut të shtetit deri më tani është pritur ftohtë nga zyrtarët e lartë të PD-së, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë koment mbi pasojat që mund të ketë një lëvizje e tillë. Edhe për nënkryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, qëndrimi i Topit nuk ishte i panjohur. Në një prononcim të shkurtër për gazetën “Mapo”, Paloka ka theksuar se Topi rikonfirmoi atë që demokratët e kanë thënë prej muajsh. “Topi rikonfirmoi atë që është thënë deri dje për votën e tij për Edi Ramën, ashtu edhe për krijimin e një partie të re”,- tha dje Paloka. Dy ditë më parë, në një intervistë për “TCH”, presidenti i Republikës, Bamir Topi, e la të hapur mundësinë e rikthimit të tij në politikë. Duke e konsideruar veten të fortë dhe aktiv, për kreun e shtetit nuk ishte çudi kthimi i tij në një formacion të ri politik të qendrës së djathtë. “Unë besoj që mbi bazën e një eksperience politike institucionale, profesionale besoj dhe mbi bazën e asaj që unë testoj, besoj që është një moshë kur njeriu jo thjesht për interesa të natyrës së karrierës, por për t’i shërbyer vendit, mjedisit dhe shoqërisë, njeriu duhet të jetë gjithmonë i gatshëm. Çështja e politikës është një çështje e tregut; si funksionojnë rregullat e tregut, funksionon edhe politika. Në rast se njeriu e shikon vërtet që ka për të dhënë dhe shikon një ambient pozitiv absorbues nga mjedisi, atëherë nuk ka pse të largohet, por duhet të jetë pjesëmarrës dhe duke vënë në shërbim të interesit të përgjithshëm të gjithë eksperiencën personale”, - tha Topi dy ditë më parë. Qëndrimi i kryetarit të shtetit nuk është komentuar dje nga kryeministri Sali Berisha, i cili, edhe pse i pranishëm në inaugurimin e një rruge, pati mundësinë që t’i kundërpërgjigjej politikës së ndjekur nga kryetari i opozitës, Edi Rama, dhe jo vetëm, por edhe paktit të këtij të fundit prej 10 pikash.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›