Berisha: Rama e Vuçiç duan të rikthejnë “Ballkanin e hapur”, akt antishqiptar

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh sot në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale se, kryeministri Edi Rama ka sulmuar Gjermaninë, një vend që ka dhënë mbi 1.5 miliardë euro ndihma për Shqipërinë, për shkak të kërkesave të autoriteteve gjermane për funksionimin e shtetit ligjor.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet e tij ndaj një vendi, i cili i ka dhënë Shqipërisë gjer sot ndihma jashtëzakonisht të çmuara në mijëra projekte nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, mbi 1.5 miliardë euro ose më shumë.”, tha Berisha.
“Është e vërtetë se autoritetet gjermane kërkojnë funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, tha Berisha.
Ai komentoi gjithashtu editorialin e përbashkët të Ramës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke e cilësuar si një përpjekje për t’u kthyer tek Ballkani i Hapur.
“Këta bëjnë një kryeartikull, në të cilin i thonë Europës se nuk ka nevojë të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, sepse nënkuptohet rregullat nuk i zbatojnë dot, kriteret nuk i zbatojnë dot, por na jepni tregun”, tha Berisha.
“U rikthye tek Ballkani i Hapur me të cilin ky shkatërroi përfundimisht ekonominë, bujqësinë shqiptare”, theksoi Berisha.
Berisha e vlerësoi këtë si një akt antishqiptar.
“Nuk kishte akt më antishqiptar. Bashkohet me aleatin e Putinit tani që e sheh se dera e Brukselit, dera e integrimit po i mbyllet…”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se opozita shqiptare ka dhe do ketë si ylli e saj polar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.
“Ne jemi sot për t’i deklaruar Edi Ramës se opozita shqiptare ka dhe do ketë si ylli e saj polar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Integrimin e bazuar në meritë, e bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, e bazuar në kriteret dhe standardet demokratike. Prandaj dhe përpiqu, bëj gati kërkesën për strehim politik në Beograd, por të garantoj se bashkë me të do përfundoni diku tjetër se edhe atij demokratët dhe populli shqiptar do i japë përgjigjen e merituar”, tha Berisha.
/gj.m/a.f/