E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama, i zhytur në kaos dhe konfuzion, beson gënjeshtrat e tij

19-02-2013 / Nga Leonard Quku

Kreu i qeverisë publikon shifra zyrtare, pas shpifjeve opozitare për sistemin e shëndetësisë. “Kryetari i PS kërkon ta bëjë Shqipërinë si Kuba, pa sistemin e sigurimeve shëndetësore”
Deklarata/Shefi i mazhorancës, deputetëve: Ndiqni shembullin tim të dëgjesave me qytetarët
Përgjigjja e mjekëve për Edi Ramën: Je i ftohur në tajare

Kryeministri Berisha tha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se reformat e shpallura së fundmi për të rinjtë, bizneset dhe fermerët kanë pasur impakt, të cilin ai e cilësoi si të jashtëzakonshëm. Duke u ndalur kryesisht te akuzat e Partisë Socialiste, Berisha akuzoi lidershipin e opozitës Edi Rama se është i zhytur në një kaos dhe konfuzion total konceptual. Kreu i qeverisë tha se Rama mashtron me shifrat që jep për fushën e shëndetësisë. Sipas tij, sistemi më i mirë është ai që po ndiqet, ku të punësuarit paguajnë sigurime shëndetësore, ndërsa kontributet e të papunëve, pensionistëve dhe invalidëve i mbulon shteti. Ajo që duhet në shëndetësi aktualisht, theksoi thekson kryeministri, është një menaxhim qartësisht më i mirë. “Kundërshtari është në hallin e tij më të madh, në ditën e tij më të vështirë, i zhytur në një kaos dhe konfuzion total konceptual. E them edhe një herë, të dashur qytetarë, çdo njeriu i ndodh që të gënjehet njëherë, cilido qoftë ai. Sepse njerëzve duhet t’u prijë besimi dhe është normale të besosh. Por të të gënjejnë dy herë, ke gënjyer veten – thotë fjala e urtë. Kjo është keq, por e keqja e të gjitha të këqijave është kur beson gënjeshtrat e tua. Kjo nuk ka shërim. Njeriu që beson gënjeshtrat, po ta marrim si Homo sapiens, si njeri me ndjenja, me shqisa dhe me të gjitha që ka arritur në këtë stad, është ai që ka shikim, por nuk shikon; ka dëgjim, por nuk dëgjon; ka ndjeshmëri, por nuk ndjen. Sistemi shëndetësor, i cili, absolutisht, është larg të qenurit i përsosur; ka nevojë për përmirësime të padiskutueshme; ka nevojë për vëmendje të vazhdueshme; ka nevojë për një menaxhim qartësisht më kompetent; ka nevojë për dixhitalizim të plotë, sepse ka ikur koha e blloqeve dhe defterëve, por edhe këto po bëhen”- u shpreh kryeministri Berisha.
Duke u ndalur konkretisht te akuzat e kryesocialistit, Berisha tha se Rama nuk ka asnjë statistikë, por ka adoptuar nihilizmin si platformë, duke firmosur kështu fundin e tij intelektual. “Zotëria sulmon sistemin e sigurimeve, sistemin më eficent për kujdesin shëndetësor, sistem i cili ka bërë që mjekësia të jetë një faktor kryesor në mbrojtjen e shëndetit,  mjekimin e sëmundjeve dhe rritjen e jetëgjatësisë së njerëzve. Sistemin, për hir të së vërtetës, nuk është se e shpikëm ne, e kanë të gjitha vendet, përveç Kubës. Nuk e ka pasur edhe Shqipëria e Enver Hoxhës. Ky sistem bazohet në kontributet shëndetësore për të gjithë ata që kanë marrëdhënie pune. Për të gjithë të tjerët, është qeveria ajo që merr përsipër kontributet e tyre dhe trajtohen njësoj si ata që paguajnë kontribute. Mirëpo Rama, nga njëra anë ankohet për kryeministrin sepse thotë se paguhen pak taksa, nga ana tjetër thotë do ia heq taksën Kryeministrit. E ka diku edhe një mik të vetin që thotë; “të rritet rroga e kryeministrit”. Zotëria e tij deklaron se gratë shtatzëna paguajnë për shërbimet që kryejnë, si edhe për echo-n. Ai këtë e quan një mëkat të sistemit tonë shëndetësor. Më duhet t’i them zotit Rama të pyesë ndonjë socialiste të nderuar, shtatzënë, se sa ka paguar ajo për echo-n, pasi ka katër vjet që echo-ja dhe të gjitha shërbimet ndaj grave shtatzëna janë tërësisht falas. Kjo reformë ka marrë një vlerësim të madh ndërkombëtar. Organizata Botërorë e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë vlerësimin më të madh. Më duhet t’i them zotit Rama le të lexojë pak revistën e famshme amerikane Neësëeek, se çfarë shkruan ajo për kujdesin në Shqipëri ndaj grave shtatzëna. Në shkallaren e kësaj reviste, në rating-un e saj, Shqipëria zë një nga vendet më të mira në botë. Por ti, zoti Rama, duhet të gëzohesh për këto. Sepse nuk është se nuk ka vend për kritika, por jo të adaptosh nihilizmin si platformë. Sepse nihilizmi ka vetëm një pasojë, të detyron, të shtrëngon të besosh gënjeshtrën tënde. Nihilizmi të detyron të firmosësh fundin intelektual dhe jo intelektual tëndin. Por mund t’i them edhe një të dhënë tjetër zotit Rama. Le të marrë statistikat e certifikuara nga organizatat botërore të gruas. Çfarë tregojnë ato? Shqipëria është një nga vendet me vdekshmëri amtare, të grave shtatzëna, ndër më të ulëtat në botë”- tha ai.
Kryeministri i cilësoi mashtrime dhe të pavërteta akuzat e Ramës se janë rritur çmimet për barnat për pensionistët. “Pensionistët në Shqipëri, pothuajse më shumë se kudo tjetër, marrin falas barnat nëpërmjet rimbursimit”- deklaroi ai.
Shefi i ekzekutivit theksoi se fatura e rimbursimit të barnave këtë vit, është 8.2 miliardë lekë, ndërsa fondi i ISKSH-së, i cili në 2005-ën ishte në prag falimentimi me vetëm 5 miliardë lekë, sot ISKSH ka një fond të përcaktuar nga qeveria prej 25 miliardë lekë. “Fondi i ISKSH-së, institucion të cilën ne e morëm tërësisht të falimentuar, kishte një borxh të thellë dhe ishte një gropë tërësisht e dështuar. Por, para se ta falimentonin, ISKSH-ja kishte fond prej 5 miliardë lekë, të cilin e përdorte për të gjitha. Sot ISKSH-ja ka një fond nga qeveria dhe buxhet në tërësi prej 25 miliardë lekë. Pra ka një fond pesë herë më të madh sesa kur ky institucion u falimentua, duke u vjedhur nga kleptokratët në pushtet. Unë përsëri nuk them se nuk ka vend për përmirësime, por ju garantoj se ne në listën e barnave kemi futur ilaçe që disa vende të zhvilluara nuk i rimbursojnë”- tha ai.
Kryeministri përgënjeshtroi gjithashtu pretendimet e PS, se janë rritur tarifat mjekësore për të papunët, duke thënë se Rama i referohet të dhënave të xhepistit Kosta Barjaba, në variantin e ri të Ramiz Alisë. Kreu i qeverisë sqaroi se qytetarëve të papunë u garantohet me ligj, shërbimi shëndetësor pa pagesë. “Zoti Rama u thotë shqiptarëve se janë rritur tarifat mjekësore për të papunët. Ky zotëri lexon Kosta Barjabën, variantin e ri të Ramiz Alisë. E keni marrë vesh ju? Dy gjëra ju them për Kostën. Së pari, manifestin e ka të botuar me famozin Fatmir Xhafa. Paskan libër të përbashkët ata. Së dyti, ortak i Ramës dhe i anturazhit të Ramës në kushedi sa projekte, për gjëra nga më të ndryshmet. Kjo nuk ka rëndësi, por rëndësi ka që ky zotëri thotë se janë rritur tarifat mjekësore për të papunët. Harron se ky vend ka një ligj i cili u garanton të papunëve shërbime shëndetësore pa pagesë, rimbursim të barnave, me një kusht të vetëm; që ata të shkojnë të regjistrohen dhe të sjellin një dokument që janë të papunë. A është e drejtë kjo kërkesë? Kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve, se në të kundërt, njerëzit mund të vijnë e të mbushin thasët me mjete të paguara nga taksat tuaja. Një të papuni i kërkohet vetëm që të marrë nga pushteti vendor, apo zyra e punës, një dokument që është i papunë dhe ai do të gëzojë të gjitha shërbimet”- theksoi ai.
Gjithashtu, nisur nga akuzat e ashpra të Edi Ramës ndaj mjekëve dhe sistemit shëndetësor, kryeministri Sali Berisha solli në vëmendje sëkëlldinë që kaloi kryesocialisti në Burrel dhe ndihmën e parë që mori mjekët e këtij spitali. Këtu, kreu i qeverisë u shpreh me doza të forta ironie, duke perifrazuar një shprehje popullore të mjekëve: “Ai shkoi në Burrel dhe ne u interesuam maksimalisht për shëndetin e tij, edhe ministri edhe unë. Ai falënderoi, sigurisht, jo me emër, të gjithë ata që u shqetësuan. Ndërkohë që kur ishte në Elbasan, e dëgjova tek thoshte; “U ftoha në Burrel, ndenja gjysmë ore në reanimacion dhe u ftoha aty, mora të ftohur”. Unë u interesova dhe e dini se cila ishte përgjigja që më dhanë? - më falni se edhe mjekët e përdorin këtë shprehje popullore - “jo, ai ishte ftohur në tajare”. Por, a thotë burri ashtu? Majlinda, unë e shoh që ty nuk të erdhi mirë që unë e përdora këtë fjalë, por nuk kam ç’të bëj se kështu më thanë. I përdor edhe populli këto shprehje, nuk kam ç’bëj unë. Ju lutem shumë, këtë fjalën e fundit edhe mund ta censuroni, nëse doni, por këtë e thotë populli, jo unë”- deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.

Kreu i PD, porosi deputetëve për takime me qytetarët
Kryeministri i vendit njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha u kërkoi deputetëve të angazhohen në dëgjesa në mbarë vendin për të dëgjuar problemet e qytetarëve dhe propozimet që ata kanë. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se impakti i reformave të shpallura kanë qenë pozitiv duke shtuar se qëllimi më madhor i PD-së është pasurimi i programit. “Unë dëshiroj t’ju informoj se impakti i reformave të shpallura ka qenë dhe është jashtëzakonisht pozitiv. Në takimet që kam bërë, në të cilat unë vendosmërisht shkoj për të dëgjuar mendime, opinione, propozime, sugjerime, kritika, qortime për Partinë Demokratike dhe programin e saj katër vitet që vijnë. Sepse, e theksoj edhe një herë, ndonëse ai ka ekspertizën e shkallës më të lartë dhe vlerësimet më të mëdha ndërkombëtare, ju garantoj se asgjë nuk zëvendëson mendimin qytetar, interesin qytetar, opinioni qytetar. Ndaj me këtë bashkëbisedim, me këtë dialog me qytetarin synimi më madhor është pasurimi i programit tonë, shndërrimi në një program që përshtatet, që përputhet dhe që u përgjigjet më shumë interesave të qytetarëve. Por, unë ju lutem juve që këto takime të jenë një praktikë e përditshme e juaja me zgjedhësit, sepse ata kanë një seri pyetjesh dhe problemesh që duan t’jua parashtrojnë, por kanë edhe propozime që nuk arrijnë, sepse aq njerëz mban salla. Ju duhet t’i përcillni që të gjitha ato, në mënyrë që të shqyrtohen në sensin më pozitiv, sepse mundësia është. Qytetarët e kanë të qartë që ne mbajmë premtimet tona. Kjo është motoja jonë - ne mbajmë premtimet tona”- tha Berisha. Ai vlerësoi edhe programin e PD-së, për të rinjtë dhe bujqësinë, çka sipas tij, do të rrisë punësimin si dhe do të bëjë të mundur rritjen e prodhimit. “Programi për të rinjtë është një përgjigje e shkëlqyer, shumë e mirëpritur nga të rinjtë shqiptarë për punësimin e tyre. Programi do të jetë një nxitje e madhe edhe për fuqizimin e biznesit, për rritjen e prodhimit në tërësi, por impakt jashtëzakonisht pozitiv konstatoj se ka pasur paketa e reformave për bujqësinë, paketë që do ta bëjë bujqësinë tonë shumë më kompetitive, do të ulë koston e prodhimit, do të nxisë shumë interesin për biznesin dhe agro-biznesin. Ka një potencial shumë të madh”- tha më tej kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›