Shtetasit në zonën kufitare Trebishtë-Xhepistë presin të përmirësohet komunikimi e tregtia ndërkufitare
Maqedonia e Shqipëria do të hapin kalim të ri kufitar
Maqedonia e Shqipëria do të ndërtojnë një kalim të ri kufitar në Trebishtë-Xhepistë për të përmirësuar komunikimin e ndërsjellë, besimin e për të nxitur ekonomitë e tyre në një veprim të përgëzuar nga zyrtarët e shtetasit në të dy vendet. "Hapja e kalimit kufitar do ta bëjë më të lehtë lëvizjen e shtetasve nga të dy anët e kufirit dhe do të forcojë kontrollet mbi njerëzit dhe makinat që kalojnë atë," tha qeveria shqiptare në një deklaratë. Ideja u nxit nga Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski gjatë takimit të tij me homologun Sali Berisha në Tiranë në nëntorin e kaluar. Gruevski e Berisha nënshkruan një marrëveshje në 2008 për të hapur një kalim të ri kufitar, por ajo nuk mundi të zbatohej për shkak të vështirësive teknike. Një marrëveshje e re u nënshkrua në nëntor. "Qeveria do të ratifikojë vendimin në seancën e ardhshme parlamentar. Marrëveshja pastaj do të dërgohet për miratim në parlamentin maqedonas pas së cilës grupet e punës nga të dy palët do të nisin punën për të hapur kalimin e ri kufitar," tha Aleksander Gjorgjiev, zëdhënës për parlamentin maqedonas. Shqipëria vendosi gjithashtu të hapë dy kalime të reja kufitare me Malin e Zi, ndërsa Maqedonia do të hapë tre kalime të reja kufitare me Serbinë e Kosovën. Banorët e komunës së Trebishtës në Shqipëri dhe të komunës Xhepistë ngjitur në Maqedoni kanë kërkuar një kalim kufitar për më shumë se 20 vjet. Ata thanë se njerëzit duhet të udhëtonin 70 kilometra për te kalimi më i afërt kufitar në Bllatë për të mundur të vizitonin të afërmit e miqtë dhe për të bërë biznes përtej kufirit që ishte 4 kilometra larg. "Nga kalimi veçanërisht do të përfitojnë 10,000 banorët vendas e do të ndalin procesin e emigracionit nga ky rajon për shkak të gjendjes së keqe ekonomike e infrastrukturës së dobët . Pak është investuar në 20 vjet në këtë pjesë të Shqipërisë ku jetojnë një numër i madh maqedonasish etnikë. Qyteti më i afërt është Peshkopia, 80 kilometra larg dhe nuk ka rrugë të asfaltuar për të shkuar atje," tha Vasil Sterjovski, zëvendës/president i Partisë maqedonase për Integrimin Evropian në Shqipëri. Më e rëndësishme, udhëheqësit vendorë thanë se kalimi do të mundësojë zhvillimin e bizneseve vendase e tregtinë ndërkufitare veçanërisht mes qyteteve të vegjël e fshatrave pranë kufirit. "Për këtë qëllim, duhet bërë një marrëveshje midis policive dhe doganave të të dy vendeve, mbështetur në atë se është planifikuar një strukturë e përbashkët ku do të kryhet kontrolli i kërkuar i mallrave," shtoi Sterjovski. Disa gjithashtu vunë në dukje se pasja e një kalimi kufitar do të ulë në mënyrë thelbësore numrin e kalimeve të paligjshme të kufirit. "Do të rritet kontrolli se çfarë ndodh në kufi e nuk do të ketë kalime të paligjshme nëpër male. Mund të vizitojmë të afërmit e miqtë tanë dhe mund të bëjmë pazar në Maqedoni dhe pse jo, edhe të dërgojmë fëmijët tanë në shkollë atje," tha Ilber Kadriu, një banor i Trebishtës.