Kosova e pavarur dhe shtatë sfidat e shtetndërtimit
1. Forcimi i brendshëm shtetëror - Shteti i pavarur i Kosovës, që tani po i mbush pesë vjet, që kur u shpall deklarata e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, ka bërë hapa të shënuara drejt konsolidimit të shtetit në njërën anë, në disa rrafshe të rëndësishme për funksionimin e shtetndërtimit, por në anën tjetër jo gjithçka ka shënuar progres ashtu siç do të dëshironin qytetarët e Republikës së Kosovës nga pritjet e premtuara dhe nevoja e kohës. Në pesë vjetorin e shtetit të pavarur, Kosovën e gjejmë në përballje me shumë sfida, prej tyre siç janë; të stabilitetit politik, përkatësisht forcimit të brendshëm shtetëror, forcimit të demokracisë, të garantimit të sigurisë në luftën kundër dukurive negative, të përdorimit të llojeve të diplomacisë në lobim për njohje të reja, të aspektit socio- ekonomik, të politikave të procesit të integrimit, të një mungese të unifikimit mbarëkombëtarë në disa dokumente strategjike etj. Elemente këto shumë domethënëse për mbarëvajtjen dhe normalizimin e jetës së qytetarëve, që pati përpjekje, por akoma nuk u realizuan.
Fillimisht, Kosova e pavarur në rrafshin e “forcimit të brendshëm shtetëror”, nuk arriti të shtrij autoritetin kushtetues në të gjithë territorin e vendit edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të periudhës së paspavarësisë për të vënë nën kontroll pjesë të caktuar të sovranitetit të vet. Jo stabiliteti institucional i presidencës, jo serioziteti parlamentar, dhe qeverisja jo fleksibile, në disa raste është përcjellë me elemente të paaftësisë, që në jetën e përditshme ka shkaktuar huti. Dialogu i nisur në “nivelin teknik”, i mohuar paraprakisht, i padashur nga qytetarët, rrëshqitshëm imponohet duke kaluar në nivelin më të lartë politik ndërshtetëror, që përveçse në disa segmente, nuk ka shënuar pritjet e duhura të përmbylljes së këtij procesi, sa aq të domosdoshëm, po aq edhe të dhimbshëm për Kosovën.
2. Konsolidimi i demokracisë - Së këndejmi “Konsolidimi i demokracisë”, është një sferë e rëndësishme e jetës shoqërore, e cila mbetet brengë që Kosova edhe në pesë vjetorin e pavarësisë, akoma nuk i ka përmbush pritjet e qytetarëve të vet për një shtet funksional dhe me demokraci stabile. Ekzistojnë një mori faktorësh të cilët kanë përcjellur me lëndime serioze gjatë këtij procesi demokracinë, që Kosova duhej ta kalonte me më pjekuri politike. Qytetarët po vuajmë nga pritja për ta bërë demokracinë më funksionale, për të përfituar sa më shpejt prej saj. Fakti që kishim zgjedhjet e fundit, të manipuluara kolektivisht, pjesërisht të kontestuara dhe me procedura gjyqësore akoma të papërmbyllura për një mori subjektesh politike dhe individ pjesë e monitorimit të zgjedhjeve, tregon qartazi për elementin kryesor të lëndimit të demokracisë, të “votës së lirë”, e cila prodhoj institucione të kontestuara, ligjvënës pa moral politik, përkatësisht pa autoritet në vendimmarrje dhe papërgjegjësi totale politike ndaj qytetarëve. Vazhdimi i fenomenit të nepotizmit, hapësira pa kritere e militantizmit, të diferencimit të “kuadrit profesional” jo partiak për qasje në institucione publike kanë shënuar me të zezë këtë proces. Shumë raporte ndërkombëtare e radhiten Kosovën jo mirë në shumë sfera, përkundër përpjekjeve për të ndryshuar imazhin e një shteti të pavarur dhe plotësisht funksional.
3. Garantimi i sigurisë në luftën kundër dukurive negative - Sipas çdo analize, raporti të brendshëm dhe nga jashtë, besohet seriozisht se institucionet përgjegjëse për të garantuar siguri në luftën kundër dukurive negative, me theks të veçantë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, (tenderomanisë), shpëlarës së parasë etj, jo efikasitetit të sistemit të drejtësisë, prokurorisë dhe gjyqësorit për tu përballuar me “lëndët e rënda të korrupsionit”. Kosova e pavarur po vuan nga paaftësia e luftimit të këtyre elementëve kriminal, që janë kusht i pakalueshëm për rrugën e integrimeve euroatlantike dhe paraprakisht për një frymëmarrje të një perspektive të sigurtë. Përgjithësisht sundimi i ligjit ka devijuar rrugën në atë se për çka janë të thirrur. Më tepër të krijohet përshtypja e imazhit të “muskujve të gladiatorëve” duke triumfuar betejë pas beteje, se sa e drejta e spektatorëve – qytetarëve që nuk po arrijnë të realizojnë minimumin e të drejtave të tyre jetike. Përpjekjet mediatike midis luftës së pandalshme të informimit, përkatësisht raportimit për raste të ndryshme të veprave penale me dosje të rënda si; “krime lufte, zhvatje, korrupsion” etj, në njërën anë, dhe zvarritjes së prokurorisë dhe gjyqësorit, e diku paaftësisë, mosguximit dhe pasigurisë për të reaguar në kohë në anën tjetër, e kanë bërë të ç’orientuar qytetarin e zakonshëm, pa arritur në përfundim se kush ka të drejtë në këtë shtet.
4. Përdorimi i disa llojeve të diplomacisë në lobim për njohje të reja - Përkundër përpjekjeve diplomatike për ti realizuar 100 njohjet e premtuara, Kosova ka shënuar një progres në lobimin drejt rrugës së përfaqësimit dhe të inkuadrimit në institucione politike e ekonomike ndërkombëtare. Pengesat që janë hasur ndaj pesë vendeve të BE –së, të cilat kanë ngrirë pozicionet e tyre ndaj njohjes, për që kanë një peshë të rëndësishme politike në harmonizimin e kësaj të fundit drejt ecjes së mëtutjeshme në Unionin Europian, sikur ka munguar aftësia diplomatike e komunikimit të duhur. Pesha e “diplomacisë përfituese”, e koncentruar në Bruksel dhe të bërit “diplomaci imponuese”, duke përdorë karaktere miqësore, ju ka munguar diplomatëve të rinjë, e të paprofilizuar të Kosovës. Vitet e pas pavarësisë, që e kanë karakterizuar këtë sektor të rëndësishëm të përfaqësimit të jashtëm, fillimisht vlerësohet për nga përzgjedhja jo adekuate e ambasadorëve dhe të stafit diplomatik e konsullor në misione diplomatike, përkundër përpjekjeve për tu marrë me këto lloj aktivitetesh, kanë bërë që të mos arrihet rezultati i planifikuar.
Përgjithësisht sikur edhe nga njohjet që janë substancë e garantimit të pavarësisë nuk kemi dëshmuar pjekuri diplomatike, që të bëjmë më shumë në interes të promovimit dhe përfitimit nga diplomacia ekonomike, publike etj.
5. Aspekti socio-ekonomik - Gjendja më sfiduese në Kosovën e pavarur, s’ka dyshim se është dhe do të mbetet edhe për disa vite; ulja e varfërisë, krijimi i vendeve të reja të punës dhe investimet e huaja, për çka Kosova më shumë se çdo vend tjetër i rajonit ka nevojë. Përkundër kësaj situate të rënduar socio-ekonomike, qeverisja shtetërore akoma nuk arriti që të bindë një nga shtetet mike “substancë të garantimit të pavarësisë” që të bëjnë “investime strategjike” të përhershme, të dukshme dhe të bujshme, ku do të mund të ulej ndjeshëm niveli e varfërisë, përkatësisht përmirësimit të stabilitetit ekonomik në vend. Programeve qeveritare, sikur ju ka munguar pikërisht ky koncept praktik i “orientimit të investimeve të jashtme ekonomike” të krijimit të “partnerëve bilateral strategjik”, të përfitimit të potencialit financiar të huaj për të rritë zhvillimin ekonomik. Sot në konceptet e reja bashkëkohore, përtej zhvillimit të luftërave klasike që ka njohur bota, ka marrë përmasa koncepti i “luftës asimetrike”, të përmasave inovatore të teknologjisë, përgjithësisht shfrytëzimin e resurseve ekonomike dhe zhvillimit të tyre.
6. Politikat e procesit të integrimit - Analiza e kësaj sfere ka të bëjë me të vetmit qytetarët e shtetit më të ri të Europës, Kosovës kanë mbetur të mbyllur, të izoluar në kohën kur të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor kanë përfituar nga liberalizimi me BE –n, ne sikur jemi të privuar nga kjo e drejt në “epokën e lëvizjeve” të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, pikërisht nga paaftësia e “politikave teknike” të realizimit të këtij procesi. Kosova e cila prioritet ka padyshim politikën integruese europiane, ka hasur në defekte serioze të përmbushjes së këtij procesi.
Së fundmi, deformimet që pasuan në rast pas rasti rreth dokumenteve biometrike, kanë lënduar seriozisht besueshmërinë në përpjekjet në rrugën drejt liberalizimit, proces ky përgjithësisht që ka shënuar mungesa në reforma, është shoqëruar me vështirësi, në përgjithësi dhe rrugën e mëtejme të integrimeve euroatlantike. Mungesa e rezultateve të theksuara të drejtësisë, në luftimin dhe dënimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit paraqitet si një nga pengesat kryesore për Kosovën peng në procesin e liberalizimit të vizave. Kosovës në rrugën e procesit të liberalizimit dhe në rrugën e integrimeve, i duhet vëmendje më e koncentruar që të përmbushë të gjitha kriteret përcaktuese, natyrisht se mbështetja prej KE-së duhet të jetë më e drejtpërdrejtë me një sërë pakosh financiare për implementim.
7. Mungesa e dokumenteve strategjike të unifikimit mbarëkombëtarë - Parë situatën në përgjithësi, të shkapërderdhur midis rolit të spektatorit të molisur, pa pas mundësi reale të veprimit të duhur të situatave të tendosura në pjesë të ndryshme të territorit etnik, përveç vrojtimit nga distanca, kërkohet një ndërgjegjësim i nivelit më të lartë, përtej retorikave të përditshme, diçka më ndryshe. Në këndvështrimin strategjik për krijimin e politikave unike kombëtare, duhet bërë përpjekje përveç ndryshimeve brenda sistemeve ligjore, një fushatë më të zgjeruar e politikave të brendshme, të diplomacisë së jashtme për të kërkuar atmosferën dhe komoditetin e nevojshëm për mbështetjen ndërkombëtare në nisma strategjike. Kosova do të duhej që bashkë me Shqipërinë po të krijonin një paketë unike dokumentesh strategjike, që kanë për qëllim bashkërrugëtimin e përbashkët në disa afate kohore. Përveç nismave të karakterit arsimor e historik, duhet të intensifikojnë bashkërendimin në të gjitha segmentet shtetërore të “unifikimit strategjik” prej tyre; të ekonomisë, (në të gjithë sektorët), të sigurisë, (në të gjithë sektorët) përfshirë; inteligjencën, forcat e rendit, ato të ushtrisë, emergjencat, përdorimin e kuadrove intelektuale, përkatësisht shfrytëzimin e rinisë profesionale dhe fuqinë punëtore, botës akademike të të dyja shteteve, këto të fundit mundësohen duke u shtrirë edhe në pjesë tjera të gjeografisë shqiptare. Pra pa një realizim të brendshëm të shtetndërtimit të Kosovës, si rezultat i një pjekurie shtetformuese dhe të një Shqipërie plotësisht të fortë dhe europiane, me “politika të mençura” të fuqizimit bilateral dhe multilateral, nuk mund të kemi “vetëdije politike” të matshme të unifikimit në një “hartë politike”, të bazuar po në ato interesa strategjike që një ditë gjithsesi do ti arrijmë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Bota Sot”