E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Rama ka shpalosur para shqiptarëve një Shqipëri pa opozitë

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë aktivitetit të 34-vjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha në 20 shkurt të vitit 1991, e cilësoi atë si “Hitlerin shqiptar”, që i bëri shqiptarët të vuajnë një diktaturë të trefishtë, me persekutime, burgosje, internime dhe një urie masive që shkatërroi Shqipërinë.

Berisha përshëndeti studentët dhe qytetarët që morën pjesë në protestat e vitit 1991, një akt çlirimi që shënuan fillimin e lirisë pas 47 viteve nën diktaturën komuniste të Hoxhës.

Berisha e quajti këtë ditë, ditën e kujtesës për viktimat e diktaturës dhe vlerësoi sakrificën e atdhetarëve që qëndruan të palëkundur për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Sipas tij, ata që qëndruan të fortë në burgje dhe kampe përqendrimi, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrëzimin e komunizmit dhe fitimin e lirisë më 1992.

Berisha theksoi se Rama ka shpalosur para shqiptarëve një Shqipëri pa opozitë, ku të gjitha pushtetet janë përqendruar në duar të tij.

“Veçanërisht mandatin e fundit, ai shpalosi para shqiptarëve dhe botës një Shqipëri pa opozitë. Një Shqipëri ku të gjitha pushtetet duhet të ishin në duart e tij. Një Shqipëri në të cilën ai burgosi 3 liderët e partive kryesore opozitare. Një Shqipëri ku krimi elektoral nuk ndëshkohej, por përkundrazi amnistohej si licencë për t’u përzgjedhur në zgjedhje dhe për të garantuar mandatin”, theksoi Berisha.

Berisha tha se Rama punoi për Shqipërinë e mjerimit dhe të varfërisë.

“Të gjithë ata të cilët duan të ndalen në shifra, në fakte, do të gjejnë se kjo që ndodhi në 12 vite është varfërim i qëllimshëm i shqiptarëve, është varfëri në doktrinën e diktatorëve, të cilët besojnë se të varfrit mund t’i sundojnë më lehtë. Në qoftë se, Enver Hoxha zgjodhi bunkerë dhe tunele në paranojën e tij, për të investuar 35% të buxhetit çdo vit, Edi Rama vodhi me ministrat dhe zyrtarët e tij çdo vit jo më pak se 40% të buxhetit të shqiptarëve”, shtoi Rama.

Ndaj, vijoi Berisha, “shqiptarët nga më të mirëpaguarit në vitin 2013, qoftë në rroga, qoftë pensione në krahasim me popuj të tjerë të rajonit, sot janë 2-3 herë më pak të paguar se sa ata”.

Sipas Berishës, Shqipëria ka qenë një vend ku praktikat e ekstremit të majtë, të cilat përfshijnë censurën, manipulimin e zgjedhjeve dhe ndikimin në drejtësi, kanë lulëzuar më shumë se kudo tjetër.

Berisha përmendi dy ngjarjet e fundit: rrethimin e gjykatësve një javë më parë dhe organizimin e një mitingu për të mbrojtur vjedhjen.

Sipas tij, “ky miting kishte si qëllim mbrojtjen e narkosëve dhe korrupsionit të lidhur me regjimin e Ramës, duke përfshirë vjedhjet masive që ai dhe zyrtarët e tij, si Erion Veliaj, kanë kryer”.

Berisha tha se 20 shkurti duhet të frymëzojë shqiptarët për të luftuar për një Shqipëri të lirë dhe të zhvilluar. /m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›