Dokle: Peka kërkoi shtypjen e militantëve të PS, të shkarkohet
Deputeti socialist, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Namik Dokle, kërkoi dje shkarkimin nga detyra të zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka. Kërkesa e Dokles erdhi pas denoncimit në Prokurori të zv.ministrit nga ana e kreut të FNSH-së, Shemsi Prençi. “Duke përkrahur dhe mbështetur cilindo punonjës të rendit që zbaton me korrektësi ligjin dhe Kushtetutën, Partia Socialiste njëherësh denoncon dhe dënon me indinjatë dhe përkushtim ligjor të gjithë ata që kërcënojnë, organizojnë dhe urdhërojnë veprime policore dhe jopolicore të kundwrligjshme. Ky zv.ministër, që guxon të dalë mbi ligjin, urgjentisht duhet të japë dorëheqjen apo të shkarkohet nga detyra”, u shpreh Dokle. Sipas tij, një deklaratë tronditëse e kreut të FNSH, Shemsi Prençi, u dha flesh nga mediat e pavarura. Ai bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, për urdhrin e tij të paligjshëm dhe antikushtetues “për të shtypur militantët e PS në Bathore”. Zyrtari i lartë i PS-së u bëri thirrje organeve të drejtësisë të ruajnë zgjedhjet dhe votën e lirë, ndërsa paralajmëroi kryeministrin që të mos e prekë votën e shqiptarëve.
“Inkurajojmë organet e drejtësisë që me ligj dhe Kushtetutë në dorë të mbrojnë edhe ata votën e lirë dhe zgjedhjet demokratike. Paralajmërojmë Sali Berishën të mbajë larg nga vota e lirë e popullit Pekat dhe purtekat e tij, Bashat dhe mashat, Ponet dhe Alkaponet. Askush nuk do të mundet më t’i shtypë militantët e PS-sw as në Bathore dhe asgjëkund tjetër. Askush nuk do të mundet më të prekë dhe të vjedhë votat e shqiptarëve. Askush nuk do të mundet më të manipulojë zgjedhjet e lira”, u shpreh deputeti socialist, Dokle.
Ndërtimorja, incident me deputetët e PS
TIRANE – Një incident elektoral ndodhi mbrëmjen e djeshme në qendër të Tiranës, për shkak të ngritjes së një tende për fushatën e zgjedhjeve të 8 majit nga pjesëtarët e Forumit Rinor Socialist. Deputetët socialistë Sajmir Tahiri, Besnik Bare e Eduard Shalsi dhe kreu i Inspektoratit Ndërtimor për Njësinë Nr. 1 në Tiranë, Adem Dollapi, u konfliktuan mes tyre. Përfaqësuesit e Ndërtimores nuk kanë lejuar ngritjen e tendës, duke mos e cilësuar si të tillë, por si një konstruksion metalik që ka nevojë për leje ndërtimi. Por, nga ana tjetër, deputetët socialist pretendojnë se pengesa për ngritjen e tendës është krejtësisht politike, ndërsa deputeti Sajmir Tahiri sqaroi se të rinjtë e FRESSH-it kanë edhe lejen përkatëse për ngritjen e kësaj tende provizore, që nuk mund të quhet ndërtim. Drejt vendit ku ka ndodhur incidenti, rreth orës 20:00, kanë shkuar edhe forcat e policisë së Komisariatit Nr. 1, për të shmangur çdo lloj përplasjeje dhe dhune fizike mes palëve.