E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, një publicist i mjerë, të lexojë Arshi Pipën

Berisha për rënien e Tripolit: “Natyrisht, për ne, shqiptarët, jashtë atyre që e kanë pasur në kurriz e lëkurë, askush nuk e ndien më shumë, pasi diktatori që sundoi këtë vend për 45 vite me radhë, Enver Hoxha, është në distancë diktatori më i egër, më gjakësor e më mizor pas Luftës së Dytë Botërore”

TIRANË Më shumë sesa përshëndetja e tij e radhës për forcat opozitare, që i dhanë fund regjimit diktatorial të Muhamar Al Kadafit në Libi, për kryeministrin Sali Berisha kishte rëndësi shigjetimi i tij ndaj editorialit të botuar dy ditë më parë për këtë çështje nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ndër radhë hiqte një paralele mes diktatorit libian dhe kryeministrit Berisha. “Zoti Rama, i cili ka lënë politikën dhe është rikthyer në origjinë, në dështim, se dy janë dështimet e tij të mëdha në jetën e tij parapolitike, piktura e publicistika, është kthyer tani në publicistikën e mjerimit. Dje ankohej, sulmonte përse unë kisha bërë fjalë pardje për rënien e Tripolit, në një kohë, thotë ai, kur ai nuk kishte rënë. Në fakt, përveç Saifit, tjetërkush në botë nuk tha se nuk kishte rënë Tripoli. Saifi doli e tha se u kemi këputur kërbishtet forcave opozitare, u bëmë atyre një kurth. Mjerë ata që e besuan Saifin. Kjo nuk është përgjegjësia ime. Unë i besova të vërtetës dhe e vërteta është se sot, koloneli, prej të paktën tre ditësh, gjendet në puset. Iku nga bunkeri dhe unë këtë e dija mirë, se kjo ndodhi në Tiranë më 20 shkurt. Ne ia dolëm të parandalojmë çdo lloj përplasjeje, por minjtë ia kishin mbathur tri ditë më parë. Kjo është e vërteta. Dhe ai që rrihte gjoksin se do martirizohej, ai shkoi e u mbyll në puset, njëlloj si Sadami”, - tha Berisha. Në të njëjtën rrjedhë, Kryeministri i vendit i është përgjigjur një tjetër pjese të editorialit të Edi Ramës. “Shqetësimi i dytë i zotit Rama ishte se unë e kisha quajtur fitore. Unë këtë e quaj një fitore shumë të madhe, sepse një regjim 42-vjeçar e mbajti një nga vendet më të pasura në resurse natyrore, në një spirale shtypjeje të egër. Edhe sot, në Libi, 40 për qind të popullatës jeton në nivelin e varfërisë ose nën varfëri, sepse ky vend, nën drejtimin e tij, iu nënshtrua sanksioneve nga më të rreptat, për shkak të akteve terroriste, që sponsorizoi dhe mbështeti. Natyrisht, për ne, shqiptarët, jashtë atyre që e kanë pasur në kurriz e lëkurë, askush nuk e ndien më shumë, pasi diktatori që sundoi këtë vend për 45 vite me radhë, Enver Hoxha, është në distancë diktatori më i egër, më gjakësor e më mizor pas Luftës së Dytë Botërore”, - tha ai. Për këtë arsye, Kryeministri i vendit i sugjeroi liderit të opozitës që të lexojë vargjet e Arshi Pipës “Albanian Stalinism”, e përkthyer edhe në shqip. Për arsye etike, kreu i ekzekutivit nuk pranoi t’i citonte, por theksoi disa herë se vargjet e fundit të librit ishin enkas për Ramën. “Unë do t’i sugjeroj rivalit apo publicistit Rama të lexojë veprën e Arshi Pipës ‘Albanian Stalinism’. Përgjigjja ime janë dy vargjet e fundit, me të cilat mbyllet ajo vepër, që unë këtu nuk mund t’i citoj. Janë dy vargje për Enver Hoxhën, të cilat ai t’i lexojë vetë dhe uroj që sot në darkë, krahas habereve të akshamit, të dalë edhe letra tjetër e re”,- tha ai. Kryeministri Berisha tha gjithashtu se rënia e Tripolit përbën një fitore historike për qytetarët e Libisë. “Ndaj, gjithnjë në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Ministria e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë duhet të ndërmarrin të gjithë hapat për të përgatitur ekipe shëndetësore, qoftë edhe spital fushor, me të gjitha pajisjet e nevojshme, për të mbështetur këtë vend, i cili përjetoi një muaj të tërë lufte e masakrash, por që triumfoi”, tha ai.

N.P

Vargjet e Arshi Pipës, që Berisha i sugjeroi Ramës

Stalinuc i Shqipërisë,

Paç haram qumsht e sisë

paç mallkimin e një nëme

pizeveng, doç i satëme!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›