Mediu: Të fillojnë diskutimet për Presidentin
TIRANË Edhe pse na ndan një vit nga zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, për aleatët e Partisë Demokratike nuk është aspak herët për të folur për pasardhësin. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se gara për Presidentin e ardhshëm duhet të fillojë që tani. Sipas kryerepublikanit, korriku i vitit të ardhshëm nuk është larg dhe për këtë arsye figurat për postin e kreut të shtetit duhet të dalin sa më shpejt. “Mendoj që është absurd që vetëm në politikën shqiptare mund ndodhë që 10 ditë para se të zgjidhet Presidenti i Republikës të dalin kandidaturat për president ose të gjejmë një president nga rruga. Nuk ka sens. Në qoftë se flasim për autoritetin më të lartë shtetëror, për Presidentin e Republikës, ky është një njeri që nuk i ofrohet vetëm politikës, por gjithë shoqërisë shqiptare dhe është mirë që ne të diskutojmë sa më shpejt për kandidaturat dhe vizionet e tyre”, - tha Mediu. Kryetari i PR-së kërkoi që zgjedhja e zyrtarit më të lartë të shtetit të kalojë në Kuvend me konsensus. Ai i bëri thirrje opozitës që të tregohet më objektive, duke asistuar në debatin institucional dhe parlamentar. Po dje Mediu ka folur edhe për atë çështje të cilën atyre u intereson më shumë dhe që lidhet me përfaqësimin e tyre parlamentar. “Sistemi aktual zgjedhor ka atrofizuar politikën shqiptare. Në gjykimin tim personal dhe të Partisë Republikane edhe po të mbetemi brenda proporcionalit rajonal, ne duhet të zhvillojmë një proporcional rajonal preferencial, duke parë të gjitha mundësitë për konkurrim të gjithë individëve, atyre që janë brenda politikës dhe atyre që duan të përfshihen në politikë për mos ta lënë këtë monopol individëve të caktuar", - tha Mediu. Kryetari i PR-së shtoi se partia që ai kryeson do të ndjekë të gjitha rrugët për realizimin e ndryshimit të sistemit zgjedhor. "Ne duhet të shikojmë brenda mazhorancës që të arrijmë në një gjykim të përbashkët se çfarë është e nevojshme për zhvillimin demokratik në Shqipëri. Mendimet tona do t'i ofrojmë te aleatët e mazhorancës. Ne kemi filluar kontaktet me përfaqësuesit e mazhorancës",- tha Mediu. Por përpos përpjekjeve të aleatëve, duket se kësaj here zgjidhja për ta do të varet nga propozimet që do të sjellë Partia Socialiste, pasi paketa e kësaj të fundit do të jetë parësore në diskutimet që do të përfshijnë dy partitë kryesore në komisionin për reformën zgjedhore që pritet të ngrihet në muajin shtator.
n.p