E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama pasardhës i Enver Hoxhës

Kryeministri Sali Berisha ka kujtuar sot ditën e përmbysjes së sistemit diktatorial, ku sipas tij ishin të rinjtë ata që më 20 shkurt 1991 përmbysën bustin e diktatorit Enver Hoxha. 

“Sot është 20 shkurti, dita që përmbysëm diktaturën hoxhiste! Të dashur miq! Më 20 shkurt 1991, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, të udhëhequr nga PD-ja në një akt guximi të jashtëzakonshëm, përmbysën në Tiranë me lëvizjen më të fuqishme, më masive e popullore, bustin e tiranit më mizor, Hitlerit të pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës. Studentet me grevën e tyre të urisë, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, 22 vjet më parë, nuk përmbysën vetëm shtatoren e diktatorit por dhe bronxet e gjalla të bllokmenëve hoxhistë dhe diktaturën e tyre”, u shpreh Berisha në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ai është një pasardhës i bllokmenëve, pasi ia bllokoi shqiptarëve marrjen e statusit për në BE.

“Sot, pas 22 vitesh, ne nderojmë këtë ditë si anëtare të NATO-s, si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Por sot, pas 22 vitesh, neobllokmenët me në krye Edi Ramën ngritën me votën e tyre murin e “Bllokimit”. Me 23 qershor ne do ta shembim atë. Le ta nderojmë së bashku sot pasdite në Qytetin Studenti 20 shkurtin, ditën që përmbysëm diktaturën komuniste dhe ndryshuam epokat dhe historinë. Ne jemi ndryshimi - Përpara! Sb”, shkruan kryeministri në “Facebook”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›