Bedriu VS Ganiu

Bedri Hamza dhe Gani Gërguri shumë shpejt do t’i “masin forcat” në Kuvendin e Kosovës, pasi që paneli intervistues të martën i ka dërguar emrat e tyre si kandidatë seriozë për guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK).Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilave, më së shumti pikë gjatë intervistimit ka marrë ish-ministri i Financave, Bedri Hamza.Pas këtij të fundit, vjen guvernatori aktual, Gani Gërguri, ndërsa i treti në listë ka qenë zëvendësguvernatori, Nexhat Kryeziu.
Mirëpo, paneli ka vendosur që në ekzekutiv dhe legjislativ t’i dërgojë emrat e dy kandidatëve të parë me më së shumti pikë, përkatësisht Bedri Hamzës dhe Gani Gërgurit.I pari është anëtar me librezë i partisë në pushtet(PDK), ndërsa i dyti së paku publikisht nuk është ekspozuar si përkrahës i ndonjë subjekti politik, prandaj, vite më parë Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila udhëhiqej nga Piter Feith, e kishte përkrahur Gërgurin për guvernator.
LDK dhe VV kundërshtojnë Hamzën
Në anën tjetër, partia më e madhe opozitare në vend kundërshton fuqishëm zgjedhjen e ish-ministrit të Financave për guvernator të ri të BQK-së me arsyetimin se PDK po tenton ta fusë nën kontroll edhe këtë institucion të pavarur.Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thotë për “Zërin” se në momentin kur Kuvendi do të zgjedhë guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deputetët e LDK-së sipas të gjitha gjasave do ta lëshojnë sallën.
Sipas tij, është shumë e qartë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po synon ta fusë nën kontroll edhe BQK-në.“Këtu ka vend për reagim edhe të prezencës ndërkombëtare, sepse ky rast është shumë i rëndë, kur kandidati me librezë të partisë në pushet e braktis pozitën e ministrit për t’u bërë guvernator. Ky njeri nuk e ka asnjë shans që të jetë i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij. Të largohesh nga ministri i financave dhe të konkurrosh për guvernator është shumë e qartë që këtu është punë marrëveshje”,tha Beqiri.
Ai thotë se guvernatori i ri duhet të jetë një njohës i mirë i sistemit bankar në vend dhe të mos ketë librezë të asnjë partie politike në Kosovë.
Sipas tij, dërgimi i dy emrave Bedri Hamzës dhe guvernatorit aktual Gani Gërguri është një kamuflim politik, pasi që sipas tij, puna e guvernatorit thuajse është punë e kryer.
“Është lojë politike dhe këtu ka marrëveshje paraprake. Por, nuk kanë të drejtë as morale as juridike që një institucion të pavarur ta shndërrojnë në një institucion të diktuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Këtë punë do ta ngremë edhe më fuqishëm si shqetësim”,tha ai./Indeksonline/