Berisha: Rama po kërkon pazar për presidentin

Takimi në Vlorë
Nga zyrat e reja të Partisë Demokratike në Vlorë, kryeministri Sali Berisha ka akuzuar liderin e opozitës se po përpiqet të bëj pazar me postin e presidentit. Berisha duke folur për kandidaturën e propozuar nga mazhoranca, Zhevair Zaganjori, tha se opinioni publik e ka miratuar kandidimin e tij.
Kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar, tha kreu i PD-së duke shtuar se në përputhje me kushtetutën, e cila parashikon që në tre raundet e para, duhet që kandidati apo kandidatja të marrë tre të pestat, ne bëmë përkujdesjen më të madhe për të përzgjedhur një kandidat, i cili nuk mund te refuzohej për anësinë e tij partiake.
Kryeministri tha se përpjekjes së PS-së për të bërë pazar në zgjedhjen e presidentit do ti jepet si përgjigje se kreu i shtetit do të zgjidhet me marrëveshjen PD-LSI.
Rama i cili është i interesuar me sa duket për pazar dhe jo për kryetar shteti, është i interesuar për përfshirjen e një pazari të vërtetë në zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Këtij qëndrimi ne i dhamë këtë përgjigje që po ju jap ju sot dhe vazhduam në përputhje me marrëveshjen me LSI-në.
Berisha duke folur për Ramën tha se ai dhe kur fiton nuk di se ka fituar, duke e argumentuar këtë me tërheqjen e tij nga zotimit për zgjedhjen në krye të shteti të një figure kryesore të PD-së. Ndërsa për takimin e mundshëm Berisha-Rama, kryeministri u shpreh se është gati ta presë kreun e opozitës.
Takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po çfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë, shprehet Berisha. Zotëria e tij nuk do që vendi të ketë një president dinjitoz për frymën dhe germën e kushtetutës, por do një pazar me Sali Berishën, u shpreh ai. /F.S/