Egjipt, burgim të përjetshëm për Mubarakun

Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak
Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, u dënua me burgim të përjetshëm për bashkëpunim në vrasjen e protestuesve gjatë revoltës së vitit 2011. Mubarak ishte i pranishëm në seancë, i shtrirë në një barelë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërkohë që u vetëdeklarua i pafajshëm lidhur me akuzat.
Gjykata në Kajro e shpalli fajtor ish-presidentin Mubarak, por nuk e dënoi me vdekje, siç pretendonin familjarët e viktimave, të cilët reaguan ashpër pasi mësuan vendimin e gjykatës.
84-vjeçari është dënuar pas një procesi 10-mujor, të zhvilluar në një gjykatë speciale të kryeqytetit egjiptian.
Me burgim të përjetshëm u dënua edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Habib al-Adli. Edhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë u përballën me akuzat për vrasjen e protestuesve gjatë kryengritjes së vitit të kaluar.
Mijëra policë dhe ushtarë ishin të pranishëm jashtë sallës së Akademisë në Kajro, e cila ishte rrethuar nga qindra protestues, shumë prej të cilëve familjarë të 850 protestuesve të vrarë në revoltën e vitit të kaluar.
Hosni Mubarak është i pari lider që gjykohet personalisht që nga fillimi i Pranverës Arabe vitin e kaluar. /E.K./