Berisha: Rama po merr kompetencat e qeverisë vendore, shkelmon Kushtetutën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të kreut të qeverisë, Edi Rama që sipas Berishës, ka firmosur një vendim për të marrë çdo kompetencë të qeverisjes vendore.
Sipas Berishës, me këtë vendim Rama po shkelmon Kushtetutën, duke marrë çdo kompetencë të qeverisë vendore.
“Miqtë e mi, gjithçka ky regjim bën për të mbuluar krimet e shëmtuara që kryen, Edi Rama ka firmosur një vendim për të shkelmuar për të satën e satën herë Kushtetutën. Merr çdo kompetencë të qeverisë vendore, ne një kohë kur urbanistika, lejet e ndërtimit janë të gjitha atribute të qeverisë vendore në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me Kartën e Kongresit të Autonomisë Lokale dhe Rajonale të Europës”, tha Berisha gjatë fjalës së tij nga banesa ku proteston çdo ditë bashkë me demokratët.
Për këtë arsye, Berisha i ka ftuar qytetarët që të protestojnë kundër qeverisë.
“Por makutëria e tij, pangopësia e tij nuk ka kufi. Ai do 30-përqindëshin për çdo ndërtim, kudo që kryhet në të katër anët e vendit. Nga kullat, monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit dhe tek shtëpitë që ndërtohen me mundin dhe djersën e qytetarëve. Ndaj dhe ftesa është për çdo qytetar, të ngrihemi në këmbë kundër këtij regjimi antishqiptar. Kundër këtij regjimi që po vjedh, varfëron dhe mjeron çdo ditë qytetarët e këtij vendi”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/