Veliaj me socialistët e Laprakës: PS do fitojë se mban premtimet!

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se PS ka kurajon që t’i shohë njerëzit në sy, pasi është e vetmja forcë që mban fjalën e dhënë.
Një vit nga zgjedhjet e përgjithshme zoti Veliaj ka paralajmëruar një fitore me shifra në rritje për socialistët. “Ka ndryshuar rezultati ynë në Laprakë, në Njësinë 11. Ne kemi qenë 30%, pastaj 35%, pastaj 40%, pastaj 45%, mandej 50%. Sot jemi më të fortë se të gjithë të tjerët bashkë, se e mbajmë fjalën, i shohim njerëzit në sy” tha zoti Veliaj gjatë një takimi në Laprakë me përkrahësit e PS.”Fakti që në Laprakë rritemi çdo vit i dedikohet punës së palodhur të atyre që për 33 vite e kanë mbajtur partinë me thonj, me mish e shpirt. Ja ku jemi sot fitimtarë”, u shpreh ai.
Ai solli në vëmendje se fitorja e Edi Ramës dhe PS në zgjedhjet e ardhshme ka një rëndësi të veçantë.
“Ne nuk e kemi qejf, ose pasion, ose dëshirë. Ne e kemi mision historik, që në 2025-ën, Partia Socialiste të fitojë sërish, e të qeverisë vendin, e të transformojë këtë realitet si kurrë më parë” tha zoti Velia. “Ky vend, ky shtet, ky qytet, kjo lagje, më mirë se kaq s’ka qenë, por më mirë do behet falë PS. Çdo votë është përkthyer në punë, punë, punë”, deklaroi Veliaj.
/ rtsh.al /