Berisha: Rama po rikthen politikën e "Bllokut"

Kryetari i mazhorancës e përqendron vëmendjen e tij vetëm ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama
FUSHË-KRUJË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka vijuar dje praktikën e tij të përditshme, duke inauguruar shkolla dhe rrugë, ndërkohë që nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap për zgjidhjen e krizës politike, kur opozita po kërkon hetimin e zgjedhjeve dhe faktori ndërkombëtar pret daljen nga kjo situatë politike.
Gjatë inaugurimit të një shkolle 9-vjeçare në Fushë-Krujë, kreu i qeverisë ka hedhur akuza ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, se me aksionin e tij politik po kërkon që të deformojë votën e shqiptarëve, ndërkohë që opozita ka një vit që proteston ndaj manipulimit të zgjedhjeve të kaluara, duke kërkuar transparencën e plotë të tyre si rrugë për zgjidhjen e ngërçit politik.
Por, sipas Kryeministrit Sali Berisha, kreu i opozitës Rama po kërkon që të shkelmojë votën e shqiptarëve, duke kërkuar, sipas tij, që të pengojë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. "Kultura e "Bllokut", antikultura e "Bllokut" është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste.
Antikultura e "Bllokut" është dëshmi e faktit se ata, në 20 vite kanë mbetur njëlloj si etërit e tyre. Antikultura e "Bllokut" është një antikulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen të dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj. Në emër të kësaj antikulture u përpoqën të bllokojnë rrugët e vendit, u bllokua bulevardi i vendit.
Në emër të kësaj antikulture shpifet dhe trillohet çdo ditë, por unë kam bindjen më të thellë se hijet e së shkuarës s'do munden të pengojnë kurrë dritën e të sotmes dhe të ardhmes sonë", - tha dje Berisha.
Lideri i shumicës në pushtet vuri në dukje se Shqipëria po bën përpjekje për t'u integruar në Bashkimin Europian dhe se vendi i ka qëndruar krizës ekonomike botërore dhe se të gjitha akuzat e hedhura nga opozita mbi zhvillim ekonomik, sipas Berishës, janë vetëm propagandë që i përmbahen kulturës së "Bllokut" që, sipas tij, është rikthyer në krye të Partisë Socialiste. "Sot, në politikën shqiptare po realizojmë përpjekjen e madhe shqiptare, për integrimin europian, mendimin europian shqiptar.
Por, krahas saj, të dashur qytetarë dhe qytetare, është rikthyer kultura e "Bllokut", me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të pinjollëve të "Bllokut", në Shqipëri bëhet një propagandë moniste, të cilën etërit do t'ua kishin lakmi.
Sipas saj, në Shqipëri dielli ka ndaluar, sipas saj, ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas saj, vendi po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri, sipas saj, Shqipëria ka rritur borxhin me 800 %, e paçka se e ka ulur atë nga 70 në 59 %", - u shpreh ai.