Rama: Berisha po shmang krizën. S'heqim dorë nga transparenca
Kryetari i PS-së tha se kryeministri Berisha po trillon për opozitën të njëjtat histori të 20 viteve më parë
TIRANË - Pas kthimit të tij nga Londra, kryetari i opozitës, Edi Rama, i është rikthyer turit në bazë, duke zhvilluar takime me elektoratin në qytetin e Fierit dhe Vlorës.
Pikërisht në Fier, Rama ka falënderuar të gjithë deputetët, por edhe ata qytetarë që morën pjesë në grevë urie. Kryetari i opozitës deklaroi se PS-ja është për një politikë të dialogut dhe kompromisit.
"Ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme deri nga sforcot më të shëmtuara për ta vizatuar dhe fotografuar lëvizjen tonë si një lëvizje jashtë sistemi, si një lëvizje e frymëzuar nga ambicie për pushtet dhe e drejtuar në një rrugë të konfrontimit të përmbysjes së pushtetit më dhunë.
Është një ëndërr e parealizuar e Sali Berishës dhe gjithë atyre që kanë investuar në këto propaganda të shëmtuara dhe realiteti i gjërave tregoi dhe tregon përditë se jemi një force që dimë të propozojmë, dimë të ndërtojmë, por dimë edhe të rezistojmë me çdo mjet deri në fund pa këputur asnjë lule, pa thyer një xham dhe të vendosur drejtë realizimit të qëllimit tonë, për të cilën ne nuk do të ndalemi", - tha Rama.
Kryetari i opozitës tha se Berisha po përpiqet të spostojë vëmendjen nga kriza duke inauguruar për të disatën herë po ato rrugë e shkolla, duke shtuar se ai po trillon për opozitën po ato histori të 20 viteve më parë.
Në vijim të turit "Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë", kreu i socialistëve, Edi Rama, është ndalur dje edhe në Vlorë, ku është pritur në Pallatin e Kulturës nga anëtarë socialistë, simpatizantë të kësaj force politike. "Më lejoni, u shpreh Rama, të bëj një bilanc për këtë përpjekje të gjatë, rrugë e cila ende s'ka mbaruar.
Unë besoj se greva e arriti, madje për mua personalisht, shumë sinqerisht ju them, që nuk e kisha menduar se do të arrinte kaq shumë. Jo thjesht ulja në një tryezë me palën tjetër, por ulja në një tryezë me miqtë tanë, ndërkombëtarët, Parlamenti Europian, Këshilli e Europës e deri te qeveria e SHBA-së.
Ajo tryezë mundësoi më së miri në kushte optimale për parashtrimin e çështjes sonë". Rama shtoi se pranon kompromisin me kusht që transparenca të bëhet. Edhe gjatë takimit në Vlorë, Rama kujtoi se Berisha ka ndërmarrë një tur vetëm që të tërheqë vëmendjen nga situata aktuale.
"Ai trillon, kur vetëm në më pak se një vit janë mbyllur rreth 100 mijë vende pune, mos vallë trillon opozita kur thotë se janë shtuar listat e borxheve nëpër dyqane, mos vallë trillon opozita kur flet për mungesë investimesh në sektorin publik e privat, kur arka e boshatisur e shtetit, tenton të mbushet me gjoba ndaj sipërmarrjes së marrë peng në mungesë totale të kushteve të konkurrencës.
Mos vallë trillon opozita kur flet për sondazhe që e rendisin të fundit vendin tonë për sa i përket zhvillimit, apo kur themi se na e bën me gisht Europa, për sa i përket korrupsionit.
Mos vallë gënjen opozita kur flet për grabitjen ndaj lirisë së medias, ku çdo sipërmarrës i cili tenton të shfaqë në TV apo gazetë një Shqipëri ndryshe nga ajo e Berishës mbahet peng me gjoba", - tha Rama. Ai shtoi se Berisha nuk është zgjedhur, por po sundon Shqipërinë.