PS zgjedh kryesinë e grupit. Dokle, nënkryetar i Kuvendit

Në garën për postin e nënkryetarit të Kuvendit, Fino propozon Ben Blushin. Ndërsa Malaj tërhiqet nga gara për nënkryetarin e Ekonomisë
TIRANË - Partia Socialiste bën lëshimin e saj të radhës në shërbim të negociatave për arritjen e marrëveshjes për transparencën e zgjedhjeve.
Pasi vendosi t'i kthehet jetës parlamentare, tashmë ajo ka hedhur edhe hapin e fundit në përmbushje të misionit kushtetues opozitar, duke zgjedhur edhe të gjitha strukturat e saj drejtuese parlamentare, që nga nënkryetari i Kuvendit, drejtuesit e grupit dhe të komisioneve të përhershme.
Grupi parlamentar socialistë ka zgjedhur dje me votim Namik Doklen, si nënkryetar parlamenti, katër nënkryetarët dhe sekretarin e grupit parlamentar, si dhe tre kryetarët dhe pesë nënkryetarët e komisioneve të përhershme.
Nënkryetarët e grupit
Ashtu siç ishte vendosur një javë më parë deputetët socialistë janë mbledhur dje dhe kanë miratuar me konsensus të plotë përbërjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar, si dhe të gjitha postet që opozitës i takojnë në strukturat parlamentare.
Kështu në fillim të zgjedhurit socialistë janë njohur me propozimet e paraqitura nga drejtuesi i grupit, Gramoz Ruçi, për çdo post, ndërsa nuk kanë munguar edhe vërejtjet në lidhje me përfaqësimin e grave.
Kështu, sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade, mësohet të jetë shprehur se në listën e drejtuesve të këtyre strukturave duhet të ketë më shumë femra, megjithëse në total gjinia femërore përfaqësohej nga plot 5 deputete. Më pas, grupi ka kaluar në shqyrtimin dhe miratimin e propozimeve për postet e nënkryetarëve dhe sekretarit të tij.
Ndryshe nga legjislatura e shkuar grupi parlamentar socialistë ka zgjedhur jo dy por katër nënkryetar dhe një sekretar, ku secili prej tyre do të mbrojë në marrëdhënie me Kuvendin nga një fushë të caktuar.
Kështu nënkryetar u rizgjodh Erion Braçe, i cilit natyrisht do të ketë si detyrë të tij marrëdhëniet për çështjet ekonomike dhe korrupsionin. Ndërsa tre emrat e tjerë të nënkryetarëve janë deputetë të rinj, si Vasilika Hysi e cila do të mbuloj çështjet e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, Sajmir Tahiri çështjet ligjore dhe Eduard Shalsi çështjet e pushtetit vendor dhe të zëdhënies. Në kryesinë e grupit parlamentar u zgjodh dhe Tauland Balla në postin e sekretarit.
Nënkryetari i Kuvendit
Grupi parlamentar ka miratuar dje dhe një sërë propozimesh për postet drejtuese në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, të zgjedhurit socialistë kanë marrë në shqyrtim kandidaturën e Namik Dokles të propozuar nga Ruçi për postin e nënkryetarit të tretë të Kuvendit.
Por para se të kalohej në proces votimi, deputeti Bashkim Fino ka propozuar që për këtë post të votohej edhe kandidatura e deputetit Ben Blushi, propozim i cili është pranuar edhe nga kryetari socialist Edi Rama, i cili ka kërkuar që emri i tij t'i përfshihej procesit të votimit.
Ndërkohë që në këtë diskutim ka ndërhyrë edhe deputeti tjetër Xhemal Qefalia, i cili ka kërkuar që para se të hidhej në votim kandidatura e Blushit të merrej më parë mendimi i tij. Por në këto momente mësohet se deputeti Bashkim Fino është tërhequr nga propozimi i tij, duke u shprehur se "Blushi e ka telefonin e fikur".
Në këtë mënyrë kandidatura e Dokles ka mbetur e vetme dhe është votuar me konsensus si nënkryetar i Kuvendit. Më pas, grupi ka miratuar edhe emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve të Komisioneve.
Kështu Valentina Leskaj do vijojë të drejtojë komisionin e Medias, Ermelinda Meksi ka marrë drejtimin e Komisionit të Integrimit dhe Et'hem Ruka drejtimin e komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.
Ndërsa në postet e nënkryetarëve të komisioneve është zgjedhur Fatmir Xhafaj tek Ligjet, Ilir Gjoni tek Siguria, Ilir Beqja tek Veprimtaria Prodhuese, Arta Dade tek i Jashtmi. Një ndryshim nga emrat e propozuar ka pasur për postin e nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë.
Kjo për shkak se deputeti Arben Malaj i propozuar për këtë post nga drejtuesit e partisë është tërhequr nga gara, duke u shprehur dje në mbledhje se këtë e bënte për t'u lënë rrugë emrave të rinj. Në vend të tij në këtë pozicion është zgjedhur deputetja Mimi Kodheli.
Të zgjedhurit
Namik Dokle si Nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë
Erjon Braçe - Nënkryetar grupi
Vasilika Hysi - Nënkryetare grupi
Saimir Tahiri- Nënkryetare grupi
Eduard Shalsi - Nënkryetar grupi
Taulant Balla - Sekretar i grupit
Et'hem Ruka - Kryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetin
Valentina Leskaj - Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Ermelinda Meksi - Kryetare e Komisionit për Integrimin Europian
Fatmir Xhafaj - Nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore
Mimi Kodheli - Nënkryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat
Arta Dade - Nënkryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme
Ilir Gjoni - Nënkryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare
Ilir Beqaj - Nënkryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin