Berisha: Rama po varfëron shqiptarët, mund t’i kishte rritur rrogat tre herë në 8 vite

Kreu i Grupit të “Rithemelimit” Sali Berisha ka deklaruar nga Vlora se me keqqeverisjen e tij, kryeministri Edi Rama ka rritur shpenzimet e shqiptarëve për ushqimet bazë me 12 për qind brenda një viti.
Sipas Berishës, sot Shqipëria është duke u varfëruar gjithnjë e më shumë. Për këtë arsye, sipas tij, shqiptarët po largohen gjithnjë e më shumë nga Shqipëria.
“A jemi sot të varfër si në ’92? Jo, jo, jemi shumë larg, por problemi sot është se kemi një varfëri në shtim, kemi një varfëri që tremb, frikëson, e cila rritet, në të cilën nuk shohim prespektivë se si do të kemi nesër një jetë më të mirë. Duke ardhur këtu lexoja, në muajin shkurt çmimi i ushqimeve krahasuar me 1 vite më parë ishte 12% më i lartë.
Çfarë do të thotë, secili prej jush shpenzon 12 % më shumë vetëm për kafshatën e gojës. Në 1 vit kjo. Po të marrim 8 vite sa bëjnë, bëjnë 30-40%, sepse ky njeri që është në pushtet, ngriu rrogat, nuk rriti rrogat, nuk rriti pensionet dhe kjo pastaj shndërrohet në rënkime, në lot mjerimi, në bindjen se ky vend nuk bëhet, se këtu nuk jetohet dhe ndaj shqiptarët ikin”, u shpreh Berisha teksa prezantoi kandidatin democrat për zgjedhjet e 14 majit, Hysni Sharra për Bashkinë e Vlorës.
Berisha tha se Rama ka pasur mundësi të rrisë rrogat por nuk e bëri në 8 vjet qeverisje.
“Në rast se Edi Rama dhe kjo qeveri, të kishte dëshirë, zemër të shihte ju, të shihte shqiptarët, prap nuk po them të pasur, por të jetonin çdo vit e më mirë, ua them unë këtu ju, në mënyrë absolute me majë lapsi mund të kishte rritur rrogat të paktën 3 herë në 8 vite.
Ku e bazoj unë këtë? Ua them unë ju. Ne 8 vite para këtyre, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, ndërtuam 11 mijë km rrugë, ndërtuam 1300 shkolla etj., etj”, theksoi Berisha,.
Ai shtoi se “vetëm me borxhin që mori në 2021 në shtator, 720 mln euro, rrogat e shqiptarëve mund të ishin rritur 70%. Por nuk ndodh kjo. Ky vendosi mbi shqiptarët një mekanizëm të tmerrshëm vjedhje që e kryeson vetë”
/rtsh.al/